Përmbytjet e shkaktuara nga reshje të dendura shiu në rajonin e administruar nga India në Kashmir kanë marrë jetën e të paktën 56 personave dhe kanë lënë dhjetëra të tjerë të zhdukur, njoftuan zyrtarët e menaxhimit të fatkeqësive. Ngjarja tragjike ndodhi të enjten në fshatin Chisoti të distriktit Kishtwar, pas një “shpërthimi të reve” që solli ujëra dhe baltë me shpejtësi shkatërruese.
Kjo është katastrofa e dytë e madhe nga përmbytjet që godet Indinë këtë muaj, pas tragjedisë në Uttarakhand më 5 gusht, ku humbën jetën mbi 70 persona.
“Lajmet janë të zymta,” tha Kryeministri i Kashmirit, Omar Abdullah, duke konfirmuar situatën alarmante. Autoritetet bënë të ditur se 80 persona janë raportuar të zhdukur, ndërsa rreth 300 janë shpëtuar – 50 prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë dhe janë dërguar në spital.
Sipas dëshmitarëve, përmbytja ka shkatërruar ose marrë me vete shumë shtëpi. Një kuzhinë e përkohshme, ku ndodheshin mbi 100 pelegrinë të paregjistruar, është zhdukur plotësisht nga rrjedha e ujit.
Forcat e shpëtimit dhe ushtria po përballen me vështirësi për të arritur në zonë për shkak të rrugëve të dëmtuara nga stuhitë e ditëve të fundit. Shërbimi meteorologjik ka paralajmëruar për reshje dhe përmbytje të tjera, duke u kërkuar banorëve të qëndrojnë vigjilentë.
Kryeministri indian Narendra Modi premtoi “çdo ndihmë të mundshme” për të prekurit nga tragjedia.
Ekspertët theksojnë se ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i pakontrolluar po shtojnë rrezikun e fatkeqësive të tilla gjatë sezonit të musonit, i cili zgjat nga qershori në shtator.