Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) ka njoftuar anulimin e protestës së paralajmëruar për datën 18 gusht, pas vendimit të Qeverisë në detyrë për të miratuar kërkesën për huamarrje në vlerë deri në 2.540.000 euro për nevoja të likuiditetit të RTK-së.
Në një komunikatë publike, SPERTK ka falënderuar punonjësit e RTK-së për përkushtimin dhe sakrificën, veçanërisht ata që kanë vazhduar punën pa pagesë për muaj të tërë, me qëllim që qytetarët të mos mbeteshin pa informim.
Sindikata ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e organizatave vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë AGK-në, BSPK-në, Federatën Evropiane të Gazetarëve, Qendrën Solidare, si dhe sindikatat dhe mediat në Shqipëri dhe SHBA.
SPERTK i ka bërë thirrje Kuvendit të ri të Kosovës për miratimin urgjent të Ligjit të ri për RTK-në, sigurimin e financimit të pavarur dhe të qëndrueshëm, si dhe reformimin e raportimit financiar. Po ashtu, është theksuar nevoja për plotësimin e bordit dhe pozitave udhëheqëse në përputhje me ligjin.
Sindikata ka njoftuar se padia e paralajmëruar nuk do të procedohet në gjykatë, ndërsa dokumentet e mbledhura me pëlqimin e punëtorëve do të asgjësohen sipas ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.
“Forcimi i RTK-së është forcim i lirisë së medias në një vend demokratik si Kosova,” thuhet në përmbyllje të deklaratës së SPERTK-së.