Që nga sot, bizneset e mëdha që kanë kaluar në tregun e lirë të energjisë elektrike, por nuk kanë lidhur marrëveshje për furnizim, do të përballen me shkyçje nga rrjeti.
Përfaqësues të bizneseve kanë shprehur shqetësime për dëmet e mëdha që mund të shkaktohen dhe kanë kërkuar pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Një nga bizneset e prekura është kompania me mbi 2 mijë punëtorë e Ramiz Kelmendit, e cila pas disa muajsh rezistencë u detyrua të nënshkruajë kontratë me një operator privat për të shmangur dëmet.
Sipas Kelmendit, me hyrjen në treg të lirë, shpenzimet e kompanisë për energji do të trefishohen.
“Vitit të kaluar kemi paguar rreth 2 milionë euro për energji, ndërsa tash do të paguajmë rreth 6 milionë. Kjo është një rritje enorme që nuk mund të quhet treg i lirë,” deklaroi ai.
ZRRE ka bërë të ditur për transmetuesin publik se deri paraditen e së premtes, rreth 300 biznese të mëdha ende nuk kishin lidhur marrëveshje me furnizuesit.
Autoriteti konfirmoi se shkyçjet nisin të shtunën, pa orar të përcaktuar, dhe se në terren do të angazhohen edhe policia dhe ekipet përkatëse.
“Pezullim të vendimit nuk ka. Nesër fillon shkyçja për ata që nuk kanë marrëveshje. Nuk ka as shtyrje të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës,” theksoi ZRRE, duke bërë të ditur se aktualisht janë gjashtë furnizues që po lidhin kontrata me bizneset.
Nga Presidenca e Kosovës, ky proces është konsideruar rrezik për ekonominë vendore, pasi sipas tyre po realizohet pa infrastrukturën e nevojshme.
“Kërkojmë nga ZRRE që të hapë një cikël të plotë konsultimesh me të gjithë aktorët, duke garantuar kushte të barabarta e të qarta për pjesëmarrësit në treg. Një hap i tillë do të ndihmonte që liberalizimi i tregut të energjisë të arrijë efektet dhe objektivat strategjikë,” u shpreh Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka paralajmëruar pasoja serioze pas shkyçjes, përfshirë ngritje të çmimeve, largim të punëtorëve nga puna dhe mbyllje të disa bizneseve. Sipas përfaqësuesit të saj, Kushtrim Ahmeti, për të shmangur daljen në treg të lirë, disa kompani të mëdha madje janë ndarë në njësi më të vogla për t’u regjistruar si biznese të reja.
Ndërkohë, KEDS u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve që ende nuk kanë kontrata të kontaktojnë sa më shpejt furnizuesit e licencuar nga ZRRE për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me energji.