Pas takimit të zhvilluar në Alaskë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, Këshilli Evropian ka publikuar një deklaratë të përbashkët, ku liderët kryesorë të kontinentit riafirmojnë mbështetjen e tyre të fuqishme për Ukrainën.
Deklarata është nënshkruar nga presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti finlandez Alexander Stubb, kryeministri polak Donald Tusk, presidenti i Këshillit Evropian António Costa dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Takimi Trump–Putin nuk prodhoi ndonjë marrëveshje për armëpushim apo paqe, por liderët evropianë e kanë cilësuar si një përpjekje të rëndësishme për t’i dhënë fund agresionit rus në Ukrainë. Në deklaratë thuhet:
“Liderët evropianë i mirëpresin përpjekjet e Trumpit për t’i ndalur vrasjet në Ukrainë, për t’i dhënë fund agresionit të Rusisë dhe për të arritur paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.”
Duke cituar vetë Trumpin – “nuk ka marrëveshje derisa të ketë marrëveshje” – deklarata thekson nevojën për bisedime të mëtejshme, me përfshirjen e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili pritet të takohet me Trumpin të hënën në Shtëpinë e Bardhë.
Liderët evropianë kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Trumpin dhe Zelenskyn drejt një samiti trepalësh, ku do të marrë pjesë edhe presidenti rus Vladimir Putin. Ata kanë theksuar se Ukraina duhet të pajiset me garanci të forta sigurie për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial.
Deklarata mbështet edhe komentet e mëhershme të Trumpit se SHBA është e gatshme të ofrojë garanci sigurie për Ukrainën. Po ashtu, Këshilli Evropian ka sqaruar se nuk duhet të ketë kufizime mbi forcat e armatosura të Ukrainës apo mbi aftësinë e saj për të bashkëpunuar me vende të treta.
“Rusia nuk mund të ketë të drejtë vetoje mbi anëtarësimin e Ukrainës në BE apo NATO. Ukraina është ajo që duhet të marrë vendime për territorin e saj, dhe kufijtë ndërkombëtarë nuk mund dhe nuk duhet të ndryshohen me force,” thuhet në deklaratë.
Deklarata rithekson vendosmërinë e shteteve evropiane për të mbajtur Ukrainën të fortë dhe të qëndrueshme, duke intensifikuar presionin ndaj Rusisë përmes sanksioneve dhe masave ekonomike më të gjera.
“Për aq kohë sa vrasjet dhe luftimet në Ukrainë vazhdojnë, vendet evropiane shprehen të gatshme të vazhdojnë të mbajnë presionin mbi Rusinë.”
Në përmbyllje, liderët evropianë garantojnë se Ukraina mund të llogarisë në solidaritetin e palëkundur të Evropës, ndërsa të gjithë punojnë për një paqe që mbron interesat jetike të sigurisë së saj dhe të kontinentit.