Kompania për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka filluar shkyçjen e rreth 450 bizneseve që nuk kanë lidhur kontrata me furnizues alternativë të energjisë, pas skadimit të afatit të përcaktuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
Sipas njoftimit të KEDS-it, rreth 600 njehsorë do të shkyçen nga distanca, ndërsa pjesa tjetër do të realizohet fizikisht nga ekipet në terren në gjithë Kosovën. Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë ka hyrë në fuqi më 1 qershor, duke detyruar kompanitë me mbi 50 punëtorë ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro të kalojnë në tregun e hapur të energjisë.
Për periudhën 1 qershor – 31 korrik, këto biznese janë furnizuar përkohësisht nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), si Furnizues i Mundësisë së Fundit. Deri më tani, mbi 250 kompani private kanë nënshkruar kontrata me KESCO-n, ndërsa dhjetëra të tjera janë në proces aplikimi.
Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dhoma e Tregtisë kanë shprehur shqetësim për këtë vendim, duke paralajmëruar se do ta vazhdojnë betejën ligjore.
Liberalizimi i tregut të energjisë në Kosovë është i paraparë me ligjin e vitit 2016, por zbatimi i tij është shtyrë disa herë. Ndërkohë, në BE ky proces ka nisur në fund të viteve ’90, ndërsa në Ballkanin Perëndimor ende është në zhvillim.