Rikthimi i Listës Serbe në zgjedhjet lokale të Kosovës që do të mbahen më 12 tetor, sipas analistit serb Dushan Janjiq, përfaqëson një kthesë të thellë në politikën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilën ai e cilëson si paradoksale.
Zgjedhjet lokale të 23 prillit 2023 në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës u bojkotuan nga Lista Serbe, e cila u bëri thirrje qytetarëve serbë të largoheshin nga institucionet.
Kjo pasoi dorëheqjet e përfaqësuesve serbë në nëntor 2022, si reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e targave serbe dhe zëvendësimin e tyre me targa të Kosovës. Si rezultat, postet e kryetarëve të komunave në veri mbetën bosh.
Në zgjedhjet e tetorit, Lista Serbe po rikthehet në garë me mbështetjen e drejtpërdrejtë të presidentit Vuçiq. Sipas Janjiq, kjo lëvizje “legalizon” një situatë të krijuar pikërisht nga bojkoti i mëparshëm.
“Në mes të një krize të thellë, ku rreziku është shumë i lartë që ai të mos jetë president deri në tetor, Vuçiq vazhdon të mbështesë dhe shtyjë Listën Serbe të paraqesë anëtarët e saj si kandidatë për zgjedhjet lokale,” thotë Janjiq për KosovaPress.
Janjiq e sheh këtë si pjesë të një strategjie më të gjerë, ku Vuçiq përdor Listën Serbe për të konsoliduar pushtetin në veri të Kosovës dhe për të negociuar me SHBA-në dhe BE-në.
“Paradoksi qëndron në faktin se zgjedhjet lokale të mëparshme u bojkotuan nga Lista Serbe, e cila i thirri njerëzit të largoheshin nga katër komunat në veri të Kosovës. Lista Serbe dhe media e Vuçiqit i ftuan qytetarët të largohen nga institucionet. Tani, në zgjedhjet e ardhshme, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, Vuçiq legalizoi këtë situatë të re, e cila u krijua ndërkohë në veri të Kosovës. Kjo është me të vërtetë paradoksale. Jam i sigurt se kjo nuk është fytyra e vetme e politikës së Vuçiqit. Kjo përfshin edhe lojën e tij me Shtetet dhe Bashkimin Evropian. Tani po përdor Listën Serbe,” shton Janjiq.
Lista Serbe do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Graçanicë, Ranillug, Partesh dhe Kllokot. Për asamble komunale, ajo do të garojë në Gjilan, Istog, Klinë, Lipjan, Obiliq, Fushë Kosovë, Dardanë, Vushtrri dhe Pejë.
Në këto zgjedhje, Lista Serbe, e cila ka deklaruar se po garon me miratimin e Serbisë, do të përballet me konkurrencën e dhjetë partive të tjera.