Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar se ka arritur një “mirëkuptim” me presidentin amerikan Donald Trump lidhur me çështjen e Ukrainës, duke paralajmëruar vendet evropiane “të mos e pengojnë progresin e sapoarritur”.
Megjithatë, ai nuk ka dhënë asnjë detaj se çfarë përfshin ky dakordim. Putin përsëriti kërkesën e tij të vazhdueshme që të adresohen “shkaqet rrënjësore të konfliktit”, duke përmendur edhe njëherë pretendimet e tij se qeveria e Ukrainës udhëhiqet nga “neo-nazistë”.
Kreu i Kremlinit u shpreh gjithashtu se pushtimi i Ukrainës në vitin 2022 nuk do të kishte ndodhur nëse Trump do të ishte president i SHBA-së në atë kohë.
Në fjalimin e tij, Putin foli edhe për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, duke i quajtur “fqinj të afërt”, pavarësisht ndarjes nga oqeani. Ai përmendi trashëgiminë historike ruse dhe theksoi se “gjithmonë e ka konsideruar Ukrainën si komb vëllazëror”.
“Jemi të ndarë me oqeane, por jemi vetëm katër kilometra larg. Ky është fakt,” tha Putin.