Me avionë luftarakë, tapet të kuq dhe sloganin “Pursuing Peace” të vendosur në sfond, presidenti amerikan Donald Trump priti homologun e tij rus Vladimir Putin në një samit të mbajtur të premten në Alaskë, i cili përfundoi papritur pa rezultate të qarta.
Pas gati tre orë bisedimesh, të dy liderët dolën përpara mediave duke shpallur “përparim”, por e ndërprenë konferencën e shtypit pa dhënë hollësi mbi atë që kishin arritur. Trump pranoi se nuk kishte asnjë marrëveshje konkrete dhe theksoi se përgjegjësia për një armëpushim bie kryesisht mbi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Pati shumë pika mbi të cilat u dakorduam. Ka edhe disa të rëndësishme që ende nuk i kemi përmbyllur, por kemi bërë përparim,” tha Trump, duke shtuar se “nuk ka marrëveshje deri sa të ketë marrëveshje.”
Putin dhe Trump u larguan nga skena pa iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Samit me shumë protokoll, por pa rezultat
Megjithëse samiti i dha Putin-it një rikthim të dukshëm në skenën diplomatike ndërkombëtare, ai nxori në pah edhe vështirësitë e mëdha të procesit. Në momentin kur dy presidentët po përshëndeteshin në bazën ajrore Elmendorf, ushtria ukrainase sinjalizonte alarme për dronë dhe avionë rusë që po sulmonin vendin.
Trump deklaroi se disa çështje kryesore mbeten të hapura, mes tyre edhe diskutimet mbi koncesione territoriale dhe garanci të mundshme sigurie për Ukrainën. Ai theksoi se “Ukraina duhet të pranojë vetë” dhe i sugjeroi Zelenskyt “të bëjë një marrëveshje.”
Trump premton pjesëmarrje në takime të ardhshme
Në një intervistë pas samitit për Fox News, Trump u shpreh se si Putin ashtu edhe Zelensky dëshirojnë praninë e tij në një takim të dytë. “Të dy më duan aty, dhe unë do të jem aty,” tha ai.
Megjithatë, gjatë paraqitjes publike me Putinin, u përmend vetëm një takim i mundshëm i ardhshëm mes dyshes, pa përfshirjen e Zelenskyt. Putin madje sugjeroi që takimi i radhës të mbahet në Moskë.
Rikthimi i Putin në skenën botërore
Për liderin rus, udhëtimi në SHBA ishte i veçantë: pas më shumë se një dekade mungesë dhe izolimi ndërkombëtar pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, ai u prit me nderime shtetërore. Tapeti i kuq, avionët luftarakë dhe duartrokitjet e Trump-it u interpretuan si shenjë se Putin po rikthehej në diplomacinë botërore.
Ky gjest u vlerësua nga media shtetërore ruse si një “shtrëngim historik duarsh” dhe shihet si fitore për Putinin, pavarësisht mungesës së rezultateve konkrete në samit.
Formati i bisedimeve ndryshoi në minutën e fundit
Edhe pse ishte paralajmëruar si takim kokë më kokë, me vetëm përkthyesit e pranishëm, formati ndryshoi sapo Trump mbërriti në Alaska. Dy ndihmës u shtuan në të dyja anët: sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio dhe i dërguari special Steve Witkoff.
Ky ndryshim, sipas zyrtarëve, u bë për të siguruar më shumë qartësi mbi diskutimet, pasi në takimet e mëparshme mes dy liderëve kishte mbetur e paqartë se çfarë ishte negociuar. Megjithatë, një moment mbeti i rezervuar vetëm për Trump dhe Putin: udhëtimi i tyre i shkurtër me limuzinën presidenciale nga pista e aeroportit deri te salla e samitit, ku nuk ishin të pranishëm as përkthyes, as këshilltarë./CNN