Në një akt që po cilësohet si goditje e drejtpërdrejtë ndaj sektorit privat dhe stabilitetit ekonomik, bizneset e afaristit të njohur Hamdi Malushaj janë shkyçur nga energjia elektrike, me vendim të ZRrE-së dhe zbatim nga KEDS.
Reagimi i Malushajt ka qenë i ashpër, duke akuzuar institucionet për një sulm të organizuar ndaj bizneseve, nën heshtjen e qeverisë Kurti.
Malushaj ka publikuar vendimin e shkyçjes në rrjetet sociale, duke e krahasuar situatën me vitet e errëta të ’90-ës, kur “i forti vendoste mbi kurrizin e të dobëtit”.
Ai ka paralajmëruar pasoja të rënda për ekonominë dhe ka bërë thirrje për mobilizim:
“Bizneset po sulmohen në mënyrë të organizuar, nën heshtjen e institucioneve dhe në bashkëpunim të hapur me ZRRE. Na shkëputën nga energjia elektrike, duke nxjerrë punëtorët tanë në rrugë!”
Në një apel publik, Malushaj ka ftuar 1400 bashkëpunëtorët e tij që të dalin para qeverisë për të kërkuar llogari dhe kushte të barabarta pune:
“Kërkojmë reagim urgjent dhe solidaritet – sot jemi ne, nesër mund të jeni ju!”
Ky rast po ngre alarmin për mënyrën se si trajtohen bizneset në Kosovë, veçanërisht në një klimë ku vendimet administrative po zbatohen pa paralajmërim, pa dialog dhe pa konsideratë për pasojat sociale.
Opozita e sheh këtë si një shembull të qartë të arrogancës institucionale dhe mungesës së ndjeshmërisë ekonomike nga ana e qeverisë Kurti.