Hapet ekspozita “Elbasani në 100 vjet”, historia e qytetit vjen përmes fotografive

by Nexhat

Në zemër të qytetit historik të Elbasanit, pranë mureve të kalasë dhe Kullës së Sahatit, është çelur ekspozita fotografike “Elbasani në 100 vjet”.

Ky aktivitet sjell një udhëtim pas në kohë, përmes imazheve dhe kujtimeve vizuale, që pasqyrojnë ndryshimet që ka përjetuar qyteti gjatë një shekulli

banner

Ekspozita, e organizuar nga Qendra e Artit, përmbledh figurat më të rëndësishme të qytetit, ngjarjet kyçe dhe momentet që kanë lënë gjurmë në identitetin e Elbasanit.

Pamjet e jetës së përditshme, traditat, lagjet, objektet ikonike dhe rrugët e dikurshme janë sjellë nëpërmjet dhjetëra fotografive që ngjallin nostalgji dhe admirim, jo vetëm tek vendasit, por edhe tek vizitorët.

“Vij nga Gjermania. Po shihja këto piktura interesante. I adhuroj fotot dhe dua të shoh ndryshimin e qyteteve. Faleminderit që na jepni mundësinë të mësojmë për kulturën tuaj përmes kësaj ekspozite,” – u shpreh një vizitore.

“Nostalgjia ekziston tek të gjithë për të shkuarën, por zhvillimi është i nevojshëm. Edhe pse s’mund të pajtohemi me nivelin e ulët shoqëror të së kaluarës, është e rëndësishme ta kujtojmë atë,” – shtoi një tjetër.

“Mirë bëjnë që e paraqesin historinë për të rinjtë. Ne të vjetrit i mbajmë mend këto. M’u kujtua porta e kalasë, çezma, bonboneria… kemi kujtime e nostalgji,” – rrëfeu një banor i moshuar.

Drejtori i Qendrës së Artit, Kliton Kapaj, tha se kjo ekspozitë shënon nisjen e një vere plot me aktivitete kulturore në Elbasan.

“Sot në qytetin e Elbasanit kemi sjellë një ekspozitë me pamje nga jeta e përditshme dhe tradita e qytetit, me një këndvështrim 100-vjeçar mbi historinë dhe vlerat që ai mbart. Ekspozita është pritur shumë mirë nga publiku, ka ngjallur kuriozitet dhe emocion,” – u shpreh Kapaj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë muajit gusht, ndërkohë që qyteti do të mirëpresë një sërë aktivitetesh të tjera artistike dhe kulturore për të gjitha moshat, duke i dhënë gjallëri jetës kulturore të Elbasanit këtë verë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy