“Një foshnjë në çadër mes viktimave”, ushtria izraelite përgatitet të dëbojë banorët e Gazës

by Nexhat

Ushtria izraelite njoftoi të shtunën se do të fillojë përgatitjet për zhvendosjen me forcë të palestinezëve nga qyteti i Gazës, ndërkohë që zyrtarët e shëndetësisë raportuan se të paktën 40 persona janë vrarë në sulmet më të fundit, duke përfshirë këtu edhe një foshnjë që ishte në një çadër me prindërit dhe persona të tjerë që prisnin për ndihma.

Ky njoftim vjen disa ditë pasi Izraeli deklaroi synimin për të nisur një ofensivë të re për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës, qendra më e madhe urbane e enklavës. Një plan që ka sjellë shqetësime ndërkombëtare. “The Guardian” shkruan se ofensiva izraelite ka zhvendosur tashmë shumicën e popullsisë, ka vrarë dhjetëra mijëra civilë dhe ka shkaktuar uri të madhe

banner

Sipas ushtrisë izraelite, duke nisur nga e diela, banorëve të Gazës do t’u shpërndahen çadra dhe pajisje të tjera strehimi përpara zhvendosjes së tyre nga zonat e luftimeve drejt jugut të enklavës “për të garantuar sigurinë e tyre”. Nuk është bërë e ditur se kur do të fillojë konkretisht kjo zhvendosje masive.

Megjithatë, Izraeli ka bombarduar në mënyrë të përsëritur edhe zona që më herët i kishte shpallur si “të sigurta”. Të shtunën, një vajzë e vogël dhe prindërit e saj u vranë nga një sulm ajror izraelit që goditi një çadër në al-Muwasi, një zonë që më parë ishte caktuar si “zonë humanitare” në jug të Gazës, sipas spitalit Nasser dhe dëshmitarëve.

“Dy muaj e gjysmë… çfarë kishte bërë ajo?”, pyeti fqinji i tyre, Fathi Shubeir. “Janë civilë në një zonë të shpallur të sigurt.”

Ushtria izraelite deklaroi se nuk mund të komentonte për sulmin pa më shumë detaje.

Al-Muwasi është aktualisht një nga zonat më të populluara në Gaza, pasi Izraeli i ka detyruar njerëzit të shpërngulen në këtë vend të shkretuar. Por javën e kaluar, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli synon të zgjerojë ofensivën ushtarake në këtë zonë, në qytetin e Gazës dhe në “kampet qendrore”, një referencë për kampet e refugjatëve Nuseirat dhe Bureij në qendër të Gazës.

Sipas agjencisë së mbrojtjes civile, të paktën 13 palestinezë u qëlluan për vdekje nga ushtarët teksa po prisnin të merrnin ndihma ushqimore pranë pikave të shpërndarjes në veri dhe në jug.

Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë tha se 11 persona të tjerë vdiqën nga kequshqyerja gjatë 24 orëve të fundit, duke përfshirë të paktën një fëmijë. Me këto vdekje, numri i viktimave të lidhura me kequshqyerjen, për shkak të bllokadës izraelite ndaj ndihmave, ka arritur në 251.

Banorët e qytetit të Gazës raportojnë për sulme ajrore të shpeshta në zonat e banuara, sidomos në lindje dhe jug, përfshirë lagjen Zeitun. Hamasi tha të shtunën se ushtria po e sulmonte këtë zonë me avionë luftarakë, artileri dhe dronë.

Zëdhënësi i mbrojtjes civile, Mahmud Bassal, tha se kushtet në Zeitun po përkeqësohen me shpejtësi, ndërsa banorët nuk kanë thuajse asgjë për të ngrënë apo për të pirë, nën bombardimet e rënda izraelite.

Ai vlerësoi se rreth 50 mijë njerëz ndodhen aktualisht në atë zonë të qytetit të Gazës, “shumica pa ushqim apo ujë” dhe pa “nevojat bazë për jetesë”.

Ghassan Kashko, 40 vjeç, që është strehuar me familjen në një ndërtesë shkolle në këtë lagje, tha: “Nuk dimë më çfarë është gjumi.” Ai i përshkroi sulmet ajrore dhe bombardimet me tanke si “shpërthime… që nuk ndalen.”

Bassal tha se Izraeli po kryen spastrime etnike në Zeitun. Ushtria izraelite deklaron se vepron sipas ligjit ndërkombëtar, por organizatat për të drejtat e njeriut (përfshirë edhe disa izraelite) e akuzojnë për gjenocid.

Në njoftimin e së shtunës, ushtria tha se pajisjet e strehimit do të transferohen përmes pikës kufitare Kerem Shalom në jug të Gazës nga Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera humanitare, pasi të inspektohen nga Ministria e Mbrojtjes. Deri më tani, kontrollet izraelite dhe burokracia kanë bllokuar hyrjen e shumë ndihmave në territor.

Një zëdhënës i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) shprehu shqetësim për planet e Izraelit për të zhvendosur popullsinë në jug të Gazës, duke thënë se kjo do të përkeqësojë më tej vuajtjet.

Megjithatë, OKB-ja e mirëpriti faktin që Izraeli e njeh nevojën e dëshpëruar për strehim dhe se do të lejojë sërish hyrjen e çadrave dhe pajisjeve për strehim në Gaza. “OKB dhe partnerët e saj do të përfitojnë nga kjo mundësi,” tha zëdhënësi, citon “The Guardian”.

OKB paralajmëroi të enjten se mijëra familje që tashmë po përballen me kushte çnjerëzore mund të kalojnë përtej kufirit të mbijetesës nëse plani për qytetin e Gazës realizohet.

Zyrtarët palestinezë dhe ata të OKB-së kanë theksuar se nuk ka asnjë vend të sigurt në Gaza, përfshirë edhe jugun, ku Izraeli po urdhëron banorët të shpërngulen.

Ushtria nuk pranoi të komentonte nëse pajisjet e strehimit janë të destinuara për popullsinë e qytetit të Gazës, e cila llogaritet të jetë rreth një milion banorë aktualisht, dhe nëse vendndodhja e re do të jetë zona e Rafahut, që kufizohet me Egjiptin.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi të shtunën se planet për ofensivën e re ende janë në proces hartimi.

Fraksioni palestinez i armatosur, Xhihadi Islamik (aleat i Hamasit) tha se njoftimi i ushtrisë është “pjesë e një sulmi brutal për të pushtuar qytetin e Gazës dhe përbën një tallje të hapur me konventat ndërkombëtare.”

Të dielën në Izrael pritet të zhvillohen protesta në shkallë të gjerë që kërkojnë lirimin e pengjeve dhe përfundimin e luftës, ndërsa shumë biznese, komuna dhe universitete kanë njoftuar mbështetjen për një grevë të përgjithshme ditore.

Familjarët e pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi kanë bërë thirrje për një “ditë ndalese kombëtare” të dielën, për të shprehur zhgënjimin në rritje ndaj luftës. Ata kanë frikë se ofensiva e re mund të rrezikojë edhe më tej 50 pengjet që ndodhen ende në Gaza, nga të cilët besohet se vetëm 20 janë ende gjallë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy