Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Gjykatën kompetente dhe Prokurorinë Themelore, ka arrestuar 13 persona në Deçan, të cilët janë kapur në flagrancë duke luajtur bixhoz në një lokal.
Gjatë kontrollit të të dyshuarve, janë konfiskuar vlera të ndryshme monetare, ndërsa tek njëri prej tyre, në veturën e tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me 8 fishekë.
Të arrestuarit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Sipas raportit të Policisë, gjatë operacionit janë sekuestruar edhe rreth 17 mijë euro, një armë zjarri, shufra metalike, thika, si dhe prova materiale të tjera që lidhen me veprat penale të dyshuara.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka bërë të ditur se ndaj të arrestuarve pritet të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.
Ai gjithashtu njoftoi se është marrë vendim për hapjen e hetimeve për veprën penale “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozi i kundërligjshëm”.
Hetimet për këtë rast vazhdojnë, ndërsa provat e sekuestruara do të përdoren në procedurën penale.