Ekonomia e Kosovës në udhëkryq: Pa hezitim mund ta quajmë, fazë e vetë-shkatërrimit

by engel

Nga Korab Rashiti, deputet në Kuvendin e kantonit të Bernit, Zvicër

Ekonomia e Kosovës ka hyrë në një fazë kritike, të cilën pa hezitim mund ta quajmë fazën e vetë-shkatërrimit. Nuk ka rëndësi kush do të jetë në pushtet – katër vitet e ardhshme, nëse vazhdohet me këtë trend, do të jenë më shkatërrueset që ka përjetuar vendi pas shpalljes së pavarësisë.

banner

Problemi nuk lidhet vetëm me një qeveri të caktuar. Në fakt, nuk ekziston asnjë perspektivë reale që brenda dhjetë viteve të ardhshme qytetarët të ndjejnë një përmirësim ekonomik të qëndrueshëm. Arsyeja është e qartë: asnjë forcë politike nuk ka në arsenalin e saj një strategji serioze ekonomike dhe juridike që do të mund ta kthejë vendin në një kurs zhvillimor e stabil.

Nga shpallja e pavarësisë më 2008 e deri në vitin 2020, Kosova shënoi progres të dukshëm, qoftë në rritjen e PBB-së, qoftë në ndërtimin e institucioneve. Por prej vitit 2020 e këtej, trendet e brendshme dhe zhvillimet e jashtme kanë zhvendosur rrugën e shtetit drejt një horizonti të errët.

Nëse vijon drejtimi aktual, deri në vitin 2030 Kosova rrezikon të shndërrohet në një “ekonomi vampir”: një sistem që thith energjinë dhe pasurinë e qytetarëve, pa gjeneruar vlerë të re. Një ekonomi e tillë nuk prodhon zhvillim, por vetëm konsumon burime të brendshme e të jashtme, duke krijuar një cikël varësie dhe stanjacioni. Pasojat do të ishin dramatike: rritje e tensioneve sociale, polarizim politik dhe humbje e besimit në institucionet e shtetit.

Kosova gjendet sot në një moment sprove historike. Dy janë skenarët që qëndrojnë përpara:

Ose do të arrijë të dalë më e fortë dhe më e pjekur si shoqëri, duke ndërtuar një sistem ekonomik dhe politik të qëndrueshëm;

Ose do të shpërbëhet gradualisht, duke humbur potencialin për stabilitet e zhvillim, deri në atomizim të plotë të shoqërisë.

Pyetja themelore sot është: a do të vazhdojë shoqëria të bjerë në kurthin e demagogjisë, apo më në fund do të pranojë faktet e realitetit dhe do të nisë të kuptojë thelbin e problemeve?

A do të zgjedhë qytetari figura që flasin bukur, por nuk prodhojnë zgjidhje, apo njerëz që e bëjnë vërtet punën dhe marrin vendime të vështira për të ardhmen?

E ardhmja e Kosovës është në duart e vetë qytetarëve të saj. Por një gjë është e sigurt: rruga drejt ditëve më të mira nuk do të jetë e lehtë. Sakrificat do të jenë të mëdha, dhe çmimi për t’u paguar – i pashmangshëm.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy