Siç edhe pritej – për këdo që ende e ka mendjen institucionale dhe jo të kapluar nga iluzioni i “shpikjeve revolucionare” – Gjykata Kushtetuese ua zbriti në tokë ëndrrat e pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe aventurës së Kryesuesit të Kuvendit. Ajo vërtetoi se gjithë ajo cirk politik, që për javë të tëra e la vendin peng të bllokadës, nuk ishte gjë tjetër veçse shkelje flagrante e Kushtetutës.
Për 48 herë rresht – po, plot 48! – Kuvendi u kthye në një sallë maratonash dështimi, një rekord i turpshëm dhe i pashembullt në historinë e parlamentarizmit kosovar. Këta “rojtarë të ligjit” nuk bënë gjë tjetër përveçse e rrasën Kushtetutën në sirtar dhe shpikën procedura të reja, si në ndonjë laborator improvizues ku çdo dështim mbulohet me një tjetër shkelje.
Gjykata tha qartë: nuk ka Kryesues “superfuqiplotë” mbi Kushtetutë, as parti që shpik rregulla për qejf të vet. Zgjedhja e Kryetarit e Nënkryetarëve bëhet me votim të hapur, me afat 30-ditor, e jo me lojëra të pafundme që i lënë qytetarët pa institucione.
Ky vendim është fitore e LDK-së, por më shumë se kaq: është fitore e Republikës dhe e qytetarëve që ende besojnë se ligji duhet të vlejë për të gjithë. Është shuplaka institucionale që u rikujton atyre që vetëquhen “ndryshim” se demokracia nuk funksionon me improvizime dhe bllokime, por me respektim të rregullave që të gjithë i kemi pranuar.
Mosrespektimi i këtij aktgjykimi? Nuk është opsion. Republika nuk është pronë e askujt, e aq më pak e atyre që mendojnë se mbi Kushtetutë ngrihen ideologjitë e tyre të papjekura. Kësaj radhe, rregullat u thanë hapur: Kushtetuta është mbi të gjithë. Dhe mbi të s’ngrihet askush.