Liberalizimi i energjisë në Kosovë: mes gabimeve strategjike dhe mungesës së vizionit

by engel

Nga Ethem Çeku, ish-ministër i Mjedisit, aktualisht profesor universitar

Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë është ndërmarrë nga shumë vende evropiane që prej viteve ’90, me synime të qarta: krijimin e një tregu konkurrues, uljen e çmimeve në afatgjatë, rritjen e efikasitetit dhe integrimin në tregjet rajonale e ndërkombëtare. Megjithatë, përvoja ndërkombëtare tregon se ky proces ka pasur rezultate të ndryshme, të varura nga forca e brendshme prodhuese dhe nga mënyra se si qeveritë kanë siguruar mekanizma mbrojtës për qytetarët dhe bizneset.

banner

Në Bashkimin Evropian, Gjermania është shembull suksesi: liberalizimi u shoqërua me investime masive në burime të ripërtëritshme, duke e shndërruar vendin në lider energjetik. Britania e Madhe, si një nga pionierët, uli çmimet fillimisht, por përfundoi me një treg të përqendruar në pak kompani dhe u ekspozua rëndë gjatë krizës së vitit 2021.

Në rajon, vende si Greqia dhe Shqipëria, të varura nga importet, u gjendën të pambrojtura dhe u detyruan të ndërhynin me subvencione për të stabilizuar tregun. Përkundrazi, Polonia ndoqi një model më të kujdesshëm: liberalizimi u parapri nga ndërtimi i kapaciteteve të reja prodhuese dhe zgjerimi i burimeve të qëndrueshme, duke siguruar një mbrojtje të brendshme më solide.

Kosova hyri në procesin e liberalizimit pa një strategji të ngjashme sigurie. Liberalizimi u aplikua fillimisht për kompanitë e mëdha, por pa u ndërtuar kapacitete të reja prodhuese. Si rezultat, bizneset u detyruan të lidheshin me furnizues të jashtëm, duke u ekspozuar ndaj luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare dhe duke u përballur me rritje drastike të kostove. Në vend të konkurrencës së shëndetshme, u krijua pasiguri dhe varësi më e madhe nga importet.

Ndryshe nga shtetet që e kanë trajtuar energjinë si politikë kombëtare afatgjatë, Kosova e ka kthyer sektorin energjetik në mjet përplasjesh politike. Vendimmarrjet shpesh nuk janë bazuar mbi analiza strategjike dhe ekonomike, por mbi llogari të ngushta partiake. Projekte madhore si “Kosova C” u bllokuan për arsye politike, duke i mohuar vendit një shtyllë të re prodhuese. Kjo ka ndodhur sepse qeveritë nuk e kanë parë energjinë si themel të zhvillimit dhe pavarësisë, por si instrument retorik në skenën politike të përditshme.

Çfarë na mëson kjo përvoja?

Nga rastet ndërkombëtare del qartë se liberalizimi mund të sjellë përfitime vetëm nëse paraprihet nga dy elemente:
Kapacitete të brendshme të qëndrueshme prodhuese – në termocentrale moderne dhe në burime të ripërtëritshme.
Depolitizim i sektorit – duke e parë energjinë si projekt kombëtar dhe jo si fushëbetejë partiake.

Në mungesë të këtyre kushteve, liberalizimi në Kosovë nuk ka qenë hap drejt zhvillimit, por hap drejt dobësimit ekonomik dhe rritjes së pasigurisë energjetike.

Kosova ka ende mundësi të korrigjojë kursin, por kjo kërkon një strategji të re të bazuar mbi tre shtylla:
ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese;
zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme;
depolitizimin e plotë të sektorit energjetik.

Vetëm një qasje e tillë mund ta kthejë energjinë nga burim krize në motor të zhvillimit të qëndrueshëm. Përndryshe, gabimet e sotme do të thellojnë varësinë dhe do ta bëjnë më të shtrenjtë çdo përpjekje për ringritje në të ardhmen.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy