Nata e shtatë e protestave, tensione në rrugët e Serbisë

by Nexhat

Protestat me moton “Ku mbetëm?” po vazhdojnë në Beograd dhe në qytete të tjera të Serbisë. Edhe sonte janë shënuar incidente, kur demonstruesit thyen xhamat e hapësirave të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në kryeqytet, ku menjëherë mbërriti presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i shoqëruar nga disa përkrahës të tij.

Pas marshimit nëpër rrugët kryesore të Beogradit, një grup protestuesish të maskuar hodhi gurë mbi selinë e SNS-së. Menjëherë pas thyerjes së xhamave, në vendngjarje mbërritën njësitë e Xhandarmërisë me automjete dhe filluan shpërndarjen e qytetarëve. Pas tyre u panë edhe disa përkrahës të partisë në pushtet.

banner

Presidenti Aleksandar Vuçiq doli para hapësirave të dëmtuara në rrugën Cvijiqeva. “Njerëzit mund të shohin atë për të cilën fola dje”, deklaroi ai, duke paralajmëruar një reagim më të ashpër nga shteti. “Do t’i ndjekim më shumë, më shpejt dhe më fuqishëm,” shtoi Vuçiq.

Ai përsëriti se protestat përbëjnë tentativë për një “revolucion me ngjyra”, të organizuar dhe financuar nga jashtë Serbisë, duke theksuar se Ministria e Jashtme e Rusisë “me të drejtë ka konstatuar” se bëhet fjalë për një skenar të tillë.

Ndërkohë, turma e protestuesve marshoi edhe në rrugët e Novi Beogradit, ku ishte vendosur një numër i madh automjetesh policore. Protesta u zhvilluan edhe në shumë qytete të tjera të Serbisë, shpesh para zyrave të SNS-së, ku ishin mbledhur përkrahësit e pushtetit.

Në ditët e mëparshme janë shënuar përleshje të ashpra mes forcave të sigurisë dhe qytetarëve. Ndër incidentet më serioze përmenden përdorimi i forcës ndaj të rinjve dhe fëmijëve, si dhe hedhja e mjeteve piroteknike nga ambientet e SNS-së në drejtim të protestuesve. Në Valjevë, pas hedhjes së mjeteve piroteknike në ndërtesën e kësaj partie, shpërtheu zjarr.

Javën e kaluar, demonstratat u shoqëruan me skena dhune – nga përdorimi i gazit lotsjellës dhe demolimi i zyrave të SNS-së, deri te përdorimi i armëve në Novi Sad, ku një ushtar qëlloi në ajër gjatë protestës.

Shkaku fillestar i këtyre protestave lidhet me shembjen e kulmit të stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona. Pas kësaj tragjedie, studentët morën drejtimin e protestave, bllokuan fakultetet dhe paraqitën kërkesa për përgjegjësi penale dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy