Gjykata Kushtetuese e ka demaskuar përfundimisht pushtetin e Albin Kurtit. Seancat e Kuvendit nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025 janë shpallur të pavlefshme për shkak të shkeljeve flagrante të Kryesuesit të Seancës Konstituive – shkelje të porositura politikisht nga Vetëvendosje.
Ky vendim i prerë dhe i detyrueshëm është shuplakë ndaj Qeverisë Kurti, e cila e ka kapur Kuvendin për fyti dhe po tenton ta përdorë edhe Kushtetutën si mjet për pushtet të përjetshëm.
Kryesuesi tani është i detyruar të thërrasë menjëherë seancën për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit me votim të hapur. Çdo vonesë tjetër do të thotë përballje e drejtpërdrejtë me Kushtetutën dhe sfidim i rendit demokratik të shtetit.
Kjo qeveri e mashtrimeve ka ditë që qeveris vetëm me arrogancë, propagandë dhe shkelje ligjore. Por një gjë duhet ta kuptojë Albin Kurti: demokracia nuk mbahet peng. Populli nuk është i verbër. Çdo ditë vonese është dëm për qytetarët, por edhe çarje e mëtejshme e besimit tek institucionet.
Në vend që të qeverisë, kjo qeveri ka zgjedhur të manipulojë. Në vend që të respektojë rregullat, ka zgjedhur t’i shkelë. Në vend që t’i shërbejë popullit, ka zgjedhur të shërbejë vetes. Kjo është fytyra e vërtetë e pushtetit të Albin Kurtit – pushtet që frikësohet nga transparenca dhe fshihet pas procedurave të manipuluara.