Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është nisur sot drejt Shtëpisë së Bardhë, pak ditë pas takimit Trump–Putin në Alaska.
Këtë herë, ndryshe nga vizita e tij e parë në shkurt kur u përball i vetëm me surpriza nga Donald Trump dhe zëvendëspresidenti J.D. Vance, Zelensky vjen i mbështetur fuqishëm nga aleatët evropianë. Qëllimi kryesor i vizitës është parandalimi i një marrëveshjeje që do të parashikonte lëshime territoriale nga ana e Kievit.
Në Uashington, Zelensky do të shoqërohet nga një grup udhëheqësish të lartë të Evropës: kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, presidenti finlandez Alexander Stubb si dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Ky kombinim i forcës ushtarake dhe ekonomike përfaqëson edhe marrëdhënie të konsoliduara me Trump.
Sipas njoftimit të administratës amerikane, takimi bilateral Trump–Zelensky do të zhvillohet në orën 13:15 me orën lokale (19:15 sipas orës së Evropës). Një orë më vonë, në 14:15, presidenti amerikan do të presë zyrtarisht liderët evropianë. Pas 15 minutash është planifikuar fotoja zyrtare e grupit, ndërsa në orën 15:00 (21:00 sipas Evropës) nis takimi i madh shumëpalësh.
Ky samit konsiderohet vendimtar për të kuptuar nëse Uashingtoni, Kievi dhe kryeqytetet evropiane do të afrohen drejt një procesi paqeje, apo nëse përplasjet me Moskën do të thellohen më tej.