E ardhmja e Alejandro Garnacho duket larg Manchester United. Sipas raportimeve të talkSPORT, sulmuesi argjentinas u ka thënë miqve të tij se tashmë ka marrë vendimin për t’iu bashkuar Chelseat.
Gazetari i njohur Alex Crook shkruan se marrëdhëniet mes Garnachos dhe trajnerit Ruben Amorim janë prishur përfundimisht pas një përplasjeje të ashpër publike.
Sherri ndodhi menjëherë pas humbjes në finalen e Europa League kundër Tottenhamit në Bilbao, gjë që ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij në “Old Trafford”.
Në anën tjetër, Chelsea e sheh Garnachon si një përforcim të rëndësishëm për repartin ofensiv. Klubi londinez raportohet se i ka kërkuar lojtarit të tregojë durim, ndërsa bisedimet mes dy palëve pritet të intensifikohen në ditët e ardhshme.
United ka vendosur një çmim prej rreth 50 milionë eurosh për kartonin e lojtarit, shifër që do të siguronte fitim të ndjeshëm për një futbollist të dalë nga akademia e tyre.
Megjithatë, Chelsea beson se mund ta ulë këtë shumë, duke shfrytëzuar situatën e tensionuar mes argjentinasit dhe trajnerit Amorim.

