Ramadan Nishori: Personi i parë që vendosa me i tregu ka qenë Vasfije Krasniqi, e kontaktova pas një interviste

by informim peje

Ramadan Nishori është burri i parë që ka folur publikisht si i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ai ka treguar se si e gjeti forcën për të ndarë historinë e tij.

“Personi i parë që vendosa t’i tregoj ishte Vasfije Krasniqi, të cilën e kontaktova në Facebook, pasi pashë një intervistë të saj në televizion,” nis rrëfimin e tij Nishori.

banner

Ai thotë se pasojat e asaj dite të tmerrshme i ndjen edhe sot.

“Kur fryn era kam frikë, kur dëgjoj ndonjë zhurmë të fortë në shtëpi kam frikë. Kurrë nuk kam mundur të jem një baba i mirë për fëmijët e mi. Nuk kam mundur t’u afrohem, sepse gjithmonë më vinte ndërmend: ‘Mos po e dinë historinë time? Mos po më pyesin diçka?’”

Nishori ka ndarë edhe momentin e vështirë, por çlirues, kur i tregoi të shoqes dhe më pas vajzës së tij.

“Kur i tregova bashkëshortes, për mua ishte një çlirim i jashtëzakonshëm. Kur më kapte ajo gjendje e keqe, dilja nga shtëpia, qaja, lirohesha dhe kthehesha prapë. Gruaja ime kurrë nuk më ka bërë pyetje pse po dilja, edhe pse nuk dinte asgjë për çfarë po përjetoja. Kur i tregova, më tha: ‘Deri sot e ke pasur mbështetjen time, por nga sot do ta kesh edhe më të madhe.’”

“Një natë i thashë bashkëshortes që dua t’i tregoj vajzës – ajo është shtylla e shtëpisë sonë. Ajo më tha: ‘Po.’ E thirra në telefon, ishte në fakultet, dhe dolëm për kafe. Ia dhashë letrën e komisionit që më njeh si viktimë të luftës. Ajo më tha: ‘Babi, unë këtë e di që 3-4 vjet, por nuk kam dashur të flas kurrë për këtë temë, pa e nisur ti i pari.’”

Këto rrëfime të Nishorit u transmetuan në një intervistë në T7.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy