Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka njoftuar opinionin publik se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është një proces i përcaktuar me ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2016, në përputhje me direktivat evropiane dhe obligimet e Traktatit të Komunitetit të Energjisë.
ZRrE kujton se ky proces ka nisur në vitin 2017 me daljen në treg të konsumatorëve industrialë, por është vonuar për shkak të pandemisë COVID-19 dhe krizës energjetike ndërkombëtare. Pas këtyre vonesave, më 1 qershor 2025 ka filluar zbatimi i fazës së re të liberalizimit, që synon krijimin e konkurrencës në një treg që deri tani ka funksionuar si monopol.
Aktualisht, janë 23 kompani të licencuara për furnizim me energji elektrike, prej të cilave 7 furnizues janë aktivë dhe kanë kontrata me konsumatorët.
Sipas të dhënave, nga 9,963 pika matëse të ndërmarrjeve ekonomike që i plotësojnë kriteret ligjore për tregun e hapur:
9,212 pika (92%) furnizohen me kontrata komerciale;
751 pika (8%) ende nuk kanë zgjedhur furnizues.
ZRrE sqaron se edhe këto pika janë furnizuar me energji që nga 1 qershori, përmes Furnizuesit të Mundësisë Fundit (FMF), i caktuar ligjërisht si Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Ky furnizim është i përkohshëm dhe vlen për një periudhë 60-ditore, gjatë së cilës konsumatorët duhet të lidhen me një nga furnizuesit e licencuar. Në të kundërt, operatori i sistemit ka detyrimin ligjor të ndërpresë furnizimin.
ZRrE apelon që të gjithë konsumatorët që ende nuk kanë nënshkruar kontrata ta bëjnë këtë sa më shpejt, për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë me energji. Institucioni thekson se mbetet i përkushtuar ta zbatojë reformën në mënyrë transparente dhe në përputhje me standardet evropiane.