Në prag të seancës së 55-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kreu i NISMA-s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka lëshuar një mesazh të prerë: nuk ka votë për kandidatët e Vetëvendosjes pa një marrëveshje politike të qartë dhe të shkruar.
“NISMA nuk është dekor në seancë. Ne nuk votojmë për askënd pa marrëveshje që garanton ndërtimin e institucioneve,” deklaroi Limaj, duke e vënë në pikëpyetje serioze legjitimitetin e procesit pa konsensus politik.
Ai kritikoi mungesën e komunikimit nga partia e parë, duke theksuar se përveç të drejtës për të propozuar, ajo ka edhe obligime kushtetuese që nuk mund të anashkalohen. “Takim nuk kemi pasur. Por tash gjërat janë më të qarta. Presim që të ndjekin hapat sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese,” tha ai.
Limaj la të kuptohet se NISMA nuk do të lejojë që të përdoret si numër për legjitimim formal, pa një marrëveshje që sjell stabilitet institucional. “Shpresoj që partia e parë të gjejë rrugën. Pa marrëveshje, nuk ka votë,” përfundoi ai.
Ky qëndrim i prerë i Limajt shton presionin mbi Vetëvendosjen dhe e zhyt procesin parlamentar në një krizë të re besueshmërie.