Shkruan Halil Matoshi, Publicist
Nëse Lëvizja Vetëvendosje respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese – siç edhe u deklarua (një akt reflektimi pozitiv) – dhe nëse ruan integritetin e Kuvendit, atëherë kandidati i tretë duhet të jetë një propozim serioz. Por, nëse qëllimi nuk është rikthimi në rendin kushtetues, atëherë maskarada do të vazhdojë edhe disa herë me radhë.
Me kandidimin e Donika Gërvallës, VV ia nguli “thikën pas shpine” Rexhep Selimit, bashkëpartiak i saj që sot ndodhet në Hagë. Ish-ministrja e jashtme, e cilësuar si më e pafata e Kosovës pasluftës, e kishte sulmuar Selimin si “njeri i botës së krimit”. Këtë e vulosi edhe mosvotimi i saj nga Shqipe Selimi (VV). Për më tepër, vetë Gërvalla kishte pranuar publikisht se ka dorëzuar dosje kundër drejtuesve të UÇK-së në Dhomat e Posaçme.
Kështu, VV-së i shpërtheu “bomba në dorë”, duke u ekspozuar publikisht. Për më tepër, Gërvalla-Schwarz është në konflikt të hapur edhe me LDK-në, që prej largimit të saj të dhunshëm nga Kuvendi i kësaj partie më 2016.
Kurti e dinte që ajo nuk mund t’i merrte votat e ish-opozitës, por thjesht, sipas autorit, ai urren stabilitetin dhe rendin kushtetues, duke ndjekur taktika të mbështetura mbi inat agresiv, të cilat rrezikojnë ta fusin Kosovën në krizë e humnerë, për projekte nacionaliste të shekullit XIX.
Nëse në anën tjetër propozon emra si Dehari, Sfeçla, Dimal Basha apo Bahtiri, kjo do të jetë vetë-identifikim i qartë i VV-së si bllokues. Në sytë e qytetarëve kjo do të nënkuptojë përgjegjësi direkte, duke e çuar partinë drejt një ndëshkimi të rëndë në zgjedhjet e ardhshme.
Me kandidatura të tilla, që i shërbejnë vetëm lëvizjeve taktike të Kurtit, VV po shmang krijimin e institucioneve demokratike dhe po e përdor Kuvendin si levë për të legjitimuar një situatë revolucionare që çon drejt anarkisë.
Nëse VV propozon Mimoza Kusarin, duke e ditur se PDK e AAK janë në konflikt të hapur me të (për çështjen e Ligjit për Veteranët), atëherë kjo do të dëshmonte se VV nuk pranon realisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese për “marrëveshje në mirëbesim”. Përkundrazi, do të shihej si mbajtje peng e shtetit, me shpresën se dikur mund të arrihet tek 51 votat e synuara.
Sipas analizës së z.Matoshi, Albin Kurti nuk po vepron as si burrshtetas, as me strategji afatgjatë. Përkundrazi, ai përdor taktika të paskrupullta, narrativën “regjimi i vjetër me serbët” dhe shumë mllef, jo vetëm ndaj opozitës por edhe ndaj demokracisë liberale.
Mesazhi i tij për qytetarët është i thjeshtë: “Po ju ndëshkoj pse nuk ma dhatë 500 mijë vota”. Ky ndëshkim, sipas autorit, është tipik për liderë me edukim stalinist – në vend të institucioneve legale, popullit i ofrohet anarkia si formë “disiplinimi”.
Pra, Kurti po luan një lojë nervash. Ai nuk po ushtron mandatin e fituar në zgjedhjet e 9 shkurtit, por po i jep popullit “atë që e dëshiron” – jo institucionet e ligjshme, por tension e spektakël politik.
Në momentin kur ish-opozita të lodhet dhe të nervozohet – sipas kohës që vetë Kurti e zgjedh – atëherë mund të arrihet marrëveshja për konstituimin formal të Kuvendit. Por, në të njëjtën seancë, Kuvendi mund të vetëshpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Linku: https://www.facebook.com/share/p/1CRvzD2faT/