Pas protestës së mbajtur në Prishtinë, mërgata shqiptare, e mbështetur nga përfaqësues të kategorive të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka paralajmëruar vazhdimin e demonstratës kundër Gjykatës Speciale.
Tubimi do të mbahet më 14 shtator 2025, duke filluar nga ora 14:00, në qytetin e Hagës – vendi ku aktualisht ndodhen në paraburgim ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Aktivisti dhe veprimtari Uk Lushi ka bërë publike detaje rreth protestës, duke deklaruar: “Më 14 shtator 2025, Haga do të dëgjojë buçimën e zërit të popullit të Kosovës nga çdo cep i botës.” Ai ka ftuar mërgatën që të bashkohet në këtë mobilizim qytetar.
Në njoftimin zyrtar thuhet se Gjykata Speciale u krijua nga Kosova me synimin për drejtësi dhe për të rrëzuar akuzat e Dick Martyt, të cilësuara si anti-shqiptare dhe anti-amerikane. Sipas organizatorëve, pavarësisht se disa nga pretendimet e Martyt janë hedhur poshtë, vetë gjykata ka shkelur parime të rëndësishme procedurale në raste të tjera.
Ata theksojnë se procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij duhej të përfundonte me shpallje të pafajësisë që në momentin kur Prokuroria Speciale përfundoi paraqitjen e provave, pasi nuk arriti të mbështesë asnjë pikë të aktakuzës.
Postimi i plotë: https://www.facebook.com/share/p/19cNXspiN9/