Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar pas zhvillimeve në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke dënuar ashpër sulmet personale dhe gjuhën denigruese ndaj përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Në një postim në Facebook, Cakolli tha se sulmet vijnë nga ata që, sipas tij, sa herë u mungojnë argumentet ligjore, kalojnë në etiketime me synimin për të krijuar atmosferë intimidimi ndaj atyre që mendojnë ndryshe.
Reagimi i tij erdhi pas deklaratës së përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi, i cili gjatë diskutimeve për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 12 tetorit, iu drejtua shoqërisë civile me fjalët: “Mos u zgërdhini, jeni vënë në anën e vrasësve”.
“Ne jemi këtu për parime demokratike dhe integritet zgjedhor, jo për t’iu nënshtruar linçimeve. Përballë standardeve ligjore, akuzat e insinuatat mbesin vetëm zhurmë,” ka shkruar Cakolli.
Ai shtoi se pretendime të tilla mund të trajtohen në gjykatë, duke theksuar gatishmërinë për përballje ligjore, për aq kohë sa palët janë të gatshme të respektojnë vendimet gjyqësore, edhe kur ato nuk u konvenojnë.