Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, ka deklaruar se Bashkimi Evropian tashmë e ka të qartë profilin politik të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe mënyrën e ushtrimit të pushtetit të tij. Sipas tij, Serbia në rrethanat aktuale nuk ka asnjë perspektivë reale për t’u anëtarësuar në BE.
“Nuk ka më iluzione për atë se kush është Vuçiq dhe çfarë përfaqëson pushteti i tij. Pyetja kryesore është si do të ndërtohet qëndrimi ndaj alternativës politike, atyre që mund të marrin pushtetin nesër, ndonëse sot kjo skenë politike mbetet e paqartë dhe e paqëndrueshme,” tha Picula në një intervistë për televizionin kroat Nova TV, e transmetuar nga Index.hr.
Ai theksoi se, ndonëse pushteti aktual në Serbi ka legalitet, opozita që proteston në rrugë po fiton çdo ditë më shumë legjitimitet.
Duke iu referuar tragjedisë së fundit në Novi Sad, ku si pasojë e shembjes së çatisë së stacionit hekurudhor humbën jetën 16 persona, Picula paralajmëroi se “viktima e 17-të, për fat të keq, mund të vijë nga përplasjet gjithnjë e më të ashpra që po ndodhin nëpër rrugët e qyteteve serbe”.
Eurodeputeti nënvizoi se kjo është një shenjë serioze për të gjithë ata që shqyrtojnë kompromiset me qeverinë e Beogradit, duke theksuar se “zgjidhja duhet të vijë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.
Në lidhje me rolin e Kroacisë, Picula kërkoi një qëndrim më të fortë ndaj, siç e cilësoi, manipulimeve të pushtetit të Vuçiqit. Ai përmendi rastet e ndalimit dhe dëbimit të qytetarëve kroatë nga Serbia, duke i cilësuar ato si shembuj të retorikës nacionaliste dhe sjelljes jo konstruktive të Beogradit.