Njëzet e një vende, përfshirë Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, kanë dënuar projektin izraelit për ndërtimin e 3.400 banesave në Bregun Perëndimor, duke e konsideruar atë si një shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe një pengesë për krijimin e një shteti palestinez të qëndrueshëm.
Plani madhor për ndërtimin e kolonive në Bregun Perëndimor të pushtuar, i miratuar të mërkurën nga Izraeli, është “i papranueshëm” dhe “një shkelje e ligjit ndërkombëtar”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të publikuar të enjten nga 21 vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën.
“Ne e dënojmë këtë vendim dhe kërkojmë me forcën më të madhe që ai të anulohet menjëherë”, shtuan ministrat e jashtëm të këtyre vendeve.
Projekti kyç për ndërtimin e 3.400 banesave në Bregun Perëndimor të pushtuar pritet të ndajë territorin palestinez në dy pjesë, duke rrezikuar çdo vazhdimësi territoriale për një shtet të mundshëm palestinez.
Masat e ndërmarra nga qeveria izraelite “kompromentojnë vullnetin tonë të përbashkët për të siguruar siguri dhe begati në Lindjen e Mesme”, denoncojnë krerët e diplomacisë së këtyre 21 vendeve, mes të cilëve janë edhe Kanadaja, Spanja dhe Italia.
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, është gjithashtu nënshkruese e tekstit.
Ata i bëjnë thirrje qeverisë izraelite që të “ndalojë ndërtimin e kolonive” dhe të “heqë kufizimet financiare të vendosura ndaj Autoritetit Palestinez”./ Informim.net