Ish-konsulli i përgjithshëm i Kosovës në Kanada, Donat Syla, ka dalë kundër mundësisë që deputetja Donika Gërvalla të zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se për opozitën një gjë e tillë do të ishte e papranueshme, duke e krahasuar rastin e saj me deputeten Albulena Haxhiu.
Në një reagim në profilin e tij në “Facebook”, Syla ka shkruar se Gërvalla, ndryshe nga Haxhiu e cila ka bërë deklarata fyese në Kuvend, ka deponuar dosje në Hagë kundër prijësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Për dallim nga Albulena Haxhiu që ka fyer në parlament, Donika Gërvalla ka deponuar dosje kundër prijësve të UÇK-së në Hagë. Albin Kurti me çdo kusht po dëshiron të vendosë në krye të Kuvendit dikë që përçon sinjal në Gjykatën Speciale se Hashim Thaçi me shokë nuk kanë përkrahje nga institucionet e Kosovës”, ka shkruar Syla.
Ai ka kujtuar se për këtë çështje kishte dhënë një prononcim edhe në muajin prill të këtij viti, duke theksuar se emri i Gërvallës mbetet problematik për drejtimin e Kuvendit.