Thaçit i refuzohet e drejta e apelimit për ndalimin e vizitorëve në Hagë – DhSK konfirmon vendimin

by engel

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë refuzuar kërkesën e ish-Presidentit Hashim Thaçi për të apeluar vendimin që ndalon 11 persona ta vizitojnë atë në objektin e paraburgimit.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e DhSK-së, Angela Griep, e cila sqaroi se gjyqtarja e procedurës paraprake, Marijorie Masselot, më 18 gusht 2025, ka rrëzuar kërkesën për apelim, duke argumentuar se ndalimi i vizitave ishte i domosdoshëm dhe proporcional për të shmangur rrezikun e zbulimit të paligjshëm të informacionit konfidencial.

banner

“Gjatë trajtimit të pikave të ngritura nga mbrojtja, gjykatësja bëri të qartë se kishte vlerësuar nivelin e rrezikut që paraqiste secili prej vizitorëve dhe se ndalimi ishte i nevojshëm,” tha Griep për “Betimi për Drejtësi”.

Sipas saj, gjykatësja Masselot ka konstatuar se pikat e ngritura nga mbrojtja nuk përbëjnë bazë për apelim, por thjesht shprehin mospajtim me vendimin.

Në të njëjtën deklaratë, Griep njoftoi se më 11 gusht 2025, gjykata ka miratuar kërkesën e Mustafa për apelim ndaj një vendimi të 16 korrikut, që e urdhëronte atë të paguante një kamatë prej 8% mbi shumën e papaguar të zhdëmtimeve.

Griep foli edhe për kërkesën e mbrojtjes së Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për informacione shtesë mbi një ndihmësprokuror, i cili më parë kishte qenë i punësuar në Qendrën e Paraburgimit.

Kërkesa u refuzua, pasi trupi gjykues vlerësoi se Prokuroria dhe administrata kishin ofruar informacion të mjaftueshëm dhe kishin ndërmarrë masa për të shmangur konfliktin e interesit.

Paraburgimi i Thaçit, sipas DhSK-së, vazhdon të mbështetet në rrezikun e pengimit të procedurave dhe mundësisë për kryerje të krimeve të tjera. Gjykata ka shprehur dyshime se Thaçi ka ndarë informacione konfidenciale me vizitorët, gjë që sipas saj, rrezikon mbrojtjen efektive të dëshmitarëve.

Griep konfirmoi gjithashtu se Apeli ka refuzuar ankesën e Krasniqit, Selimit dhe Veselit kundër vendimit të Themelores për lirim të përkohshëm.

Procesi gjyqësor pritet të hyjë në fazën e re më 15 shtator 2025, kur mbrojtja do të nisë zyrtarisht paraqitjen e provave.

Dhomat e Specializuara në Hagë mbajnë informime javore çdo të enjte në orën 14:30 përmes platformës “Zoom”, ku ofrojnë përditësime mbi zhvillimet gjyqësore dhe aktivitetet institucionale.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy