Nazim Bllaca dikur deklaroi publikisht se kishte vrarë Ibush Kllokoqin me urdhër të SHIK-ut. Dhe po, Ibushi ka merituar më shumë se një plumb në kokë për atë që u kishte bërë shqiptarëve. Por, gjasat janë se nuk e vranë për bëmat e tij, por sepse i njihte me emër e mbiemër shumicën e spiunëve të Serbisë – disa prej të cilëve, ironikisht, ishin edhe pjesë e strukturave “patriotike” shqiptare para, gjatë e pas lufte.
Me të njëjtën logjikë të turbullt, sejmenët e Albin Kurtit në KQZ, dje refuzuan të certifikojnë “Listën Serbe,” duke thënë se aty paska “kriminelë e terroristë.” Sami Hamiti pati plotësisht të drejtë kur tha:
“…Organet e sigurisë duhet me u marrë, me u mbledh e me thanë ky është një organizim terrorist, më i shpallë, se nuk e shpallim na…”
Pra, nëse është organizatë terroriste – shpalleni, por përmes organeve të sigurisë që vetë i kontrolloni. Por jo – ata preferojnë farsën.
Pse ky gjest “i madh” patriotik nga përfaqësuesit e “Liderit Suprem”?
Shkaqet janë të lexueshme si një libër i hapur:
Të pozojnë si nacionalistë, edhe pse e dinë se certifikimin nuk mund ta ndalin;
Të akuzojnë të tjerët si bashkëpunëtorë të Milan Radoiçiqit (mikut të Mimozës);
Të marrin poenë politikë tek ata që vetë Kurti i quan “analfabetë funksionalë”;
Dhe, sigurisht, ndonjë qëllim tjetër klandestin, që nuk guxojnë ta thonë me zë…
E vërteta e hidhur
Albin Kurti ka frikë. Frikë nga zbulimi i boshllëkut të tij në veri. Ri-marrja e pushtetit lokal nga “Lista Serbe” do të zbulojë se të gjitha “operacionet” e tij me gjeneralët Sveçla e Krasniqi nuk kanë qenë gjë tjetër veç fasadë. Me këtë, shkatërrohet slogani i vetëm që e shitën si patriotizëm – “cep më cep.”
Sepse, nëse hiqet maska, del lakuriq fakti: në veri, Kurti nuk ka bërë absolutisht asgjë. E gjithë puna e tij ka qenë një farsë populiste. Veriu nuk është problem sigurie, por një çështje politike që kërkon zgjidhje politike. Ky proces ishte futur ngadalë në binarët e zgjidhjes, por pesë vitet e Kurtit e kanë kthyer mbrapsht – në pikën zero, apo edhe më poshtë. Sot, ajo që ishte problem politik është kthyer në problem sigurie. Dhe problemet e sigurisë – siç e tregon shembulli i Qipros – nuk zgjidhen për një mandat, as për dy.
Farsa vazhdon, por me pasoja reale për vendin.
Burimi i lajmit (shkrimi i plotë i autorit): https://www.facebook.com/share/p/1HVicz6tV6/