Ngërçi politik dhe vonesat institucionale po krijojnë probleme serioze në funksionimin e komunave në vend. Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), ka thënë se Ministria e Financave po i zvarrit procedurat ligjore, duke e dëmtuar rëndë nivelin lokal të qeverisjes.
“Ministria e Financave po zvarrit disa procedura të parapara me ligj, në veçanti lëshimin e qarkores së dytë buxhetore. Kjo është një pengesë serioze, sepse pa këtë dokument, komunat nuk mund ta hartojnë buxhetin e tyre. Me 1 shtator kryetarët duhet t’ia propozojnë projektbuxhetin kuvendeve komunale, që më pas deri më 30 shtator të miratohet. Kjo vonesë po e paralizon procesin”, tha Ibrahimi.
Ai kujtoi se edhe në vitet e kaluara është përsëritur i njëjti problem, duke e cilësuar Ministrinë e Financave si të papërgjegjshme ndaj komunave.
Drejtori i AKK-së akuzoi qeverinë për tentativa të përsëritura për të marrë mjete financiare nga komunat.
“Ka pasur tendencë që të merret mbi 100 milionë euro nga buxhetet komunale. Për më tepër, nuk është hartuar asnjë ligj në favor të komunave. Përkundrazi, ligji për tatimin në pronë është amendamentuar, duke bërë që faturat e qytetarëve të dyfishohen, madje në disa raste të trefishohen”, tha ai.
Ibrahimi kujtoi edhe rastin e fillimvitit, kur ministri Hekuran Murati kishte deklaruar se nuk mund ta mbledhë Komisionin e Granteve për shkak se nuk ishte themeluar Parlamenti.
“Pas reagimit të Asociacionit, komisioni u mblodh dhe procedurat vazhduan, por kjo tregon mungesën e seriozitetit ndaj çështjeve që prekin drejtpërdrejtë komunat”, shtoi ai.
Sipas tij, shumica absolute e kryetarëve të komunave nuk janë të kënaqur me mënyrën se si po funksionon bashkëpunimi me nivelin qendror.
“Që nga fillimi, performanca dhe komunikimi i Ministrisë së Financave, në veçanti i ministrit Murati, nuk ka qenë në nivel. Kjo ka krijuar pakënaqësi të madhe tek kryetarët e komunave”, përfundoi Ibrahimi.