Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka lëshuar kritika të ashpra ndaj ministres në detyrë të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, duke e cilësuar si një personalitet që ka dëmtuar rëndë diplomacinë dhe përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës.
Në emisionin Five në RTV Dukagjini, Lushaku-Sadriu tha se Gërvalla ka dështuar të ndërtojë strategji për shtetësinë e Kosovës dhe nuk ka arritur të sigurojë njohje të reja.
“E ka përfaqësuar Kosovën në mënyrë sharlatane. Nuk ka pasur një vizion të qartë, as strategji të mirëfilltë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë”, u shpreh ajo.
Deputetja e LDK-së akuzoi Gërvallën se ka shkatërruar nivelin diplomatik të Kosovës përmes emërimeve dhe shkarkimeve të ambasadorëve “në mënyrë të vrazhdë”, duke e cilësuar komunikimin e saj me qendrat diplomatike si “skandaloz”.
“Në kohën e saj janë mbyllur të gjitha dyert e shteteve perëndimore. Është paradoksale që as në Gjermani, ku ka jetuar vetë për shumë vite, nuk arriti të krijojë qasje për Kosovën”, shtoi Lushaku-Sadriu.
Ajo e quajti Gërvallën me një “mendësi të lashtë e primitive”, duke kritikuar referimin e saj te trashëgimia familjare në mungesë të rezultateve konkrete.
“Nuk është koha që fëmijët të thirren në meritat e baballarëve. Kjo vetëm dëshmon mungesën e sukseseve gjatë katër viteve në detyrë”, tha deputetja.
Lushaku-Sadriu e lidhi gjithashtu qasjen e Gërvallës me Vetëvendosjen, duke akuzuar partinë në pushtet se ka përdorur “demagogjinë dhe propagandën” për të ruajtur pushtetin.
“VV ka tentuar katër vite me radhë të kthehet te e kaluara për të linçuar kundërshtarë politikë. Sot po bëjnë të njëjtën gjë, duke tentuar të mos e lejojnë konstituimin e Kuvendit dhe ta mbajnë qeverinë të uzurpuar. Edhe Gërvallës i përshtatet kjo gjendje”, përfundoi ajo.

