Rreth 350 ushtarë britanikë dhe 70 automjete ushtarake kanë mbërritur në Kosovë dhe janë vendosur në Kampin Bondsteel, si pjesë e një kontingjenti të përkohshëm të forcave rezervë të KFOR-it. Ky dislokim ka për qëllim zhvillimin e stërvitjeve të përbashkëta me trupat e NATO-s në vend.
Sipas njoftimit të KFOR-it, ushtarët nga Garda Skoceze do të marrin pjesë në aktivitete trajnuese që synojnë rritjen e gatishmërisë operacionale dhe përmirësimin e reagimit ndaj çdo situate të sigurisë.
Trajnimi zhvillohet në kuadër të mandatit të KFOR-it, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Pas përfundimit të këtyre stërvitjeve, pritet që kontingjenti britanik të rikthehet në Mbretërinë e Bashkuar.