Sjellja e Vetëvendosjes në KQZ e ka fuqizuar Listen Serbe edhe më shumë

by engel

Veprimi i fundit i Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar certifikimin e “Listës Serbe” nuk është as akt i guximshëm politik e as përpjekje për mbrojtjen e interesit shtetëror. Përkundrazi, është një spektakël populist që dëmton rëndë demokracinë e Kosovës dhe e fuqizon edhe më shumë vetë subjektin që VV pretendon ta luftojë.

Është e qartë se pas kësaj lëvizjeje, diplomacia ndërkombëtare do të reagojë në mbrojtje të Listës Serbe, duke e portretizuar Kosovën si një vend që po cenon të drejtat politike të komuniteteve. Këto veprime jo vetëm që forcojnë pozitën e Listës Serbe në arenën ndërkombëtare, por edhe e dobësojnë imazhin e Kosovës si shtet demokratik që nuk i respekton standardet më elementare.

banner

Qeveria aktuale (tani në detyrë) ka pasur mjaftueshëm kohë dhe instrumente shtetërore për të ndërtuar një dosje serioze kundër Listës Serbe, bazuar në fakte dhe prova konkrete. Nëse do të siguroheshin elemente dhe fakte të mjaftueshme ligjore për ta shpallur atë organizatë terroriste, duhej të vepronte përmes institucioneve kompetente të sigurisë dhe jo përmes një vendimi politik të KQZ-së.

Mospërgatitja në kohën e duhur tani po maskohet me një patriotizëm të rremë nga Vetëvendosje, ku fjalët e mëdha përdoren për të mbuluar dështimet praktike.

Të gjithë e dimë se shpallja terroriste e një subjekti politik është kompetencë e organeve të sigurisë dhe të drejtësisë, të cilat duhet të mbështeten në prova dhe jo në narrativën e një partie që njihet për manipulim të fakteve. Kur politika hyn në rolin e gjyqtarit, atëherë shteti humb kredibilitetin.

Në vend të forcimit të rendit dhe demokracisë, ky veprim e ekspozon Kosovën si shtet të papjekur politikisht, që luan me simbole nacionaliste për të fituar poena të brendshme, por që në realitet i bën dëm vetvetes në planin ndërkombëtar. Patriotizmi nuk matet me gjeste false e vendime të improvizuara, por me rezultate konkrete që forcojnë shtetin.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy