Ministri i Jashtëm i Holandës, Caspar Veldkamp, ka dhënë dorëheqjen pasi nuk arriti të siguronte mbështetjen e parlamentit për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Izraelit, lidhur me luftën në Gaza.
Veldkamp, 61 vjeç, ish-ambasador në Izrael, kishte paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj Tel Avivit, por partnerët e koalicionit nuk i dhanë votat e nevojshme. Ai u tha gazetarëve se nuk ishte i gatshëm të ndiqte i vetëm një rrugë që e konsideronte të domosdoshme.
Pas dorëheqjes së tij, edhe anëtarët e tjerë të kabinetit nga partia e qendrës së djathtë “Kontrata e Re Sociale” dhanë dorëheqje, duke e lënë qeverinë holandeze në një situatë të paqëndrueshme politike.
Kriza vjen vetëm pak muaj pasi qeveria e mëparshme u rrëzua në qershor, kur partia e ekstremit të djathtë u largua nga koalicioni katërpartiak për shkak të mosmarrëveshjeve mbi çështjen e imigracionit. Që atëherë, tre partitë e mbetura kanë funksionuar si qeveri e përkohshme, deri në zgjedhjet e tetorit.
Ndërkohë, ekzekutivi holandez po përballet me presion në rritje për të ndryshuar qasjen ndaj Izraelit. Vetëm muajin e kaluar, mijëra qytetarë protestuan në stacionet e trenave në mbarë vendin, duke përdorur tenxhere e tiganë për të simbolizuar mungesën e ushqimit në Gaza.