Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka paraqitur propozim para qeverisë së Serbisë për krijimin e një “Fondi të veçantë për zhvillimin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”, me buxhet vjetor prej 10 milionë eurosh.
Sipas tij, këto komuna vazhdojnë të mbeten ndër më të pazhvilluarat në Serbi, pavarësisht deklaratave të Qeverisë për mbështetje ekonomike.
“Lugina e Preshevës nuk ka nevojë për mbështetje deklarative, por për investime konkrete dhe mbështetje financiare,” ka deklaruar Kamberi.
Propozimi parashikon që fondi të menaxhohet nga Trupi Koordinues për Luginën e Preshevës, duke garantuar transparencë dhe duke përfshirë si përfitues: komunat, shoqërinë civile, mediat lokale, bizneset e vogla e të mesme, si dhe organizatat sportive.
Objektivat kryesore të fondit:
Projekte infrastrukturore dhe përmirësim të kushteve të jetesës;
Mbështetje për hapjen e vendeve të reja të punës;
Stimulim të investimeve vendore dhe të huaja me lehtësime tatimore;
Përmirësim të arsimit dhe aftësimit profesional;
Subvencione për bujqësinë dhe mbështetje për OJQ-të, mediat e bizneset lokale.
Kamberi theksoi se ky fond do të ishte një hap i rëndësishëm për ndaljen e emigrimit të të rinjve dhe krijimin e një perspektive më të mirë për banorët e Luginës së Preshevës.