Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka reaguar pas sulmeve të fundit ndaj shoqërisë civile, duke theksuar se ajo mbetet e përkushtuar vetëm ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Shoqëria civile nuk ndjek rrugën e Beogradit e as të Tiranës – ajo ndjek vetëm rrugën e qytetarëve, ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës. Nuk është shoqëria civile që ka ndryshuar rrugë, por disa që e kanë harruar të tyren – ose nuk e kanë ditur kurrë. Sot i ka verbuar populizmi dhe i ka bërë peng të ambicieve të tyre për pushtet të pakontrolluar,” ka shkruar Kryeziu.
Ai i cilësoi akuzat ndaj shoqërisë civile si të pabazuara dhe pjesë e një fushate të rrezikshme që, sipas tij, synon delegjitimimin e zërit qytetar.
Më herët, për këtë çështje reagoi edhe Eugen Cakolli, i cili tha se sulmet po vijnë nga eksponentë të Vetëvendosjes dhe se ato “nuk janë aspak të papritura”.