Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i arrestuar në fillim të këtij viti me akuza shumë të rënda penale, tashmë është çuar në gjykatë me 13 akuza.
Ndërkohë që SPAK-u ka hapur një fraksion, po hetohen paratë e tij, të vëllait të tij, të bashkëshortes, megjithëse nga SPAK-u nuk kemi parë që t’i bëjë një veting Erion Veliajt, një veting si ai që i bëri Altin Dumani Arben Ahmetajt, pra një hetim të thelluar pasuror dhe jo vetëm.
Një veting që përfshinte gjithçka, mënyrën e jetesës, shpenzimet, por SPAK-u ka ngelur te korrupsioni, akuzat dhe veprat e tjera penale.
Ajo që ka rënë në sy është se shumica e mediave kanë ndjekur me vëmendje, kanë raportuar profesionalisht, por i vetmi që ka marrë shpatën kundër SPAK-ut dhe prokurorëve është Mero Baze.
Ka tentuar edhe dikush tjetër, por pasi kanë lexuar dosjet, vendimet e gjykatave, dikush ka reflektuar.
I vetmi që nuk ka reflektuar është Mero.
Mero ka të njëjtën qasje çuditërisht si Sali Berisha, por në fakt “biri” i tij është, nuk ka ndonjë ndryshim të madh.
Të njëjtën shpatë që përdor Berisha kundër Altin Dumanit, e përdor Mero Baze kundër SPAK-ut dhe Ols Dados. Janë bashkuar në të njëjtën ide, në të njëjtën linjë, në luftë ndaj SPAK-ut.
Doktori e bën me qëllim të qartë politik, ndërsa Mero ka shumë pikëpyetje.
Të gjithë pyesin pse po e mbron kaq shumë Erionin? Çfarë ka ndodhur? Ku është kaq shumë peng?
Gjërat janë të qarta, njerëzit po i lexojnë, faktet dhe provat janë të pakontestueshme.
Erioni e ka djallosur, por Mero vazhdon të sulmojë, të shajë, të shpifë, të mashtrojë publikisht dhe këtë kush mendon se Mero e bën për moral apo nga shoqëria që shkruan se e merr malli për Erion Veliajn se e ka mik prej 20 vitesh, është thjesht dhe vetëm një gënjeshtër.
Mero Baze është paguar rreth 500 mijë euro nga vëllai i Erion Veliajt dhe të tjera kompani të lidhura me kryebashkiakun e Tiranës.
Këto shuma parash janë dhënë për një periudhë të shkurtër kohore, sipas të dhënave që CNA ka mundur të sigurojë nga Tatimet. Nga këto të dhëna rezulton se Arbër Veliaj paguan Mero Bazen për reklama të ndryshme kompanish, të cilat janë dhe përfituese tenderësh në Bashkinë e Tiranës.
Pra, skema është shumë e thjeshtë.
Një kompani i jep shpërndarjen e reklamës Arbër Veliajt, Arbër Veliaj e çon te Mero Baze, por më pas kjo kompani shkon dhe përfiton tenderë në Bashkinë e Tiranës dhe nuk është një rast, por janë disa, të cilat ne i kemi raportuar më parë, siç është lidhja më famoze me kompaninë One Albania.
Kjo e fundit prej disa kohësh buxhetin e reklamave, rreth 5 milionë euro në vit, ia jep Arber Veliajt, i cili bën shpërndarjen në media, por rezulton që kompania One të jetë përfituese tenderësh në Bashkinë e Tiranës.
Skema është e qartë. Arbri ndan reklamën, kompania merr tenderët, Mero Bazes i jepet pjesa.
Pra, janë shumë para, qindra mijëra euro që paguhet Mero Baze nga Arbër Veliaj i Erionit dhe kompanitë e lidhura me kryebashkiakun e Tiranës, të cilat nuk paguajnë shuma qesharake, por qindra mijëra euro, të cilat e kanë bërë Meron një gazetar që qelbet erë, miliarder, me hotel në Ksamil në emër të djalit të tij, me prona të paluajtshme në emër të tij dhe të fëmijëve të tij, shuma këto që burimin kryesor kanë konsulencat apo gazetën ku Mero shkruan, shpif dhe mashtron çdo ditë kundër institucioneve si SPAK-u, në mbrojtje të Erion Veliajt.
Pra, për ata që çuditeshin se pse Mero Baze kishte dalë në mbrojtje kaq të madhe ndaj Erion Veliajt, përveç faktit se i kishte punësuar fëmijët apo se e ka përdorur Erionin për interesat e tij, leje ndërtimi të njerëzve pranë Mero Bazes, punësime apo shuma të mëdha parash në të bardhë e në të zezë.
Vlera që ne kemi zbuluar prej 500 mijë eurosh është shumë pak nga totali i milionave që Mero Baze ka shtuar në pasurinë e tij, ku pagatori më i madh, kuptohet, ka qenë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj./ CNA