BDI: VLEN mbron planin e VMRO-së për zvogëlimin e këshilltarëve shqiptarë

by Nexhat

ashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të koalicionit VLEN dhe deklaratës së kryetarit të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, i cili pretendoi se ulja e numrit të këshilltarëve në komuna “nuk ka bazë etnike”.

BDI e ka quajtur këtë deklaratë përpjekje të qëllimshme për të relativizuar një vendim që, sipas tyre, është “flagrantisht diskriminues ndaj shqiptarëve”.

banner

“Nuk është hera e parë që përfaqësuesit e VLEN-it mbulojnë dhe justifikojnë politika antishqiptare të një qeverie monoetnike, që shkel në mënyrë sistematike të drejtat e përfaqësimit të shqiptarëve”, thuhet në reagimin zyrtar të BDI-së.

Sipas kësaj partie, ulja e numrit të këshilltarëve, e vendosur në shtator 2024, prek drejtpërdrejt komunat me shumicë shqiptare.

Në reagim përmenden shembuj konkretë si Gostivari, ku numri i këshilltarëve u ul nga 31 në 23, dhe Struga, Kërçova, Vrapçishti, Zhelina dhe Tearca, ku janë hequr nga katër këshilltarë në secilën komunë. Për më tepër, BDI kritikon përjashtimin e diasporës nga përllogaritjet zyrtare, duke e cilësuar si një tjetër goditje për përfaqësimin dhe zhvillimin e komunave shqiptare.

BDI akuzon gjithashtu VLEN për mbështetjen e këtij procesi, duke e krahasuar me rastin e heqjes së balancuesit – një vendim që nga VLEN u paraqit si “fitore historike”, por që sipas BDI-së ka çuar në “spastrime etnike dhe diskriminim të hapur në institucionet publike”.

BDI thekson se vendimi për uljen e këshilltarëve është në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe madje edhe me një vendim të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese që e ndalon këtë ndryshim pa reformë ligjore. Sipas tyre, përpjekja e qeverisë për të ndryshuar ligjin ka dështuar falë Frontit Europian, i cili e bllokoi iniciativën me shumicën e Badinterit, por megjithatë zbatimi po ndodh de facto me ndihmën e VLEN-it.

“Gënjeshtra e paraqitjes së VMRO-së si ‘viktimë’ është e qëllimshme dhe manipulim i pastër”, thekson BDI.

BDI shprehet se nuk do të qëndrojë indiferente ndaj shkeljes së Kushtetutës, Ligjit dhe Marrëveshjes së Ohrit dhe bën thirrje për mobilizim qytetar në referendumin e tetorit, duke paralajmëruar se “ora e përgjegjësisë politike dhe juridike po afron”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy