Leigh-Anne Pinnock bëri një paraqitje të jashtëzakonshme në skenën e Manchester Pride, ku ishte kryesuesja e eventit të fundjavës.
Ish-ylli i Little Mix, 33 vjeçe, ndezi atmosferën me performancën e saj energjike dhe me një pamje të guximshme që tërhoqi vëmendjen.
Ajo u shfaq me një veshje në ngjyra të ndezura, të zbukuruar me gurë shkëlqimtarë, ndërsa make-up-i në nuancat e ylberit i dha një prekje perfekte në përputhje me festën, shkruan DailyMail.

Para koncertit, Leigh-Anne ndau me ndjekësit emocionet e saj duke theksuar se nuk kishte ndjerë një entuziazëm të tillë për një performancë prej kohësh.
Ajo u shpreh se mezi priste të ngjitej në skenë dhe nuk kurseu asgjë për të dhuruar një show të paharrueshëm.

Ndërkohë, artistja po hap edhe një kapitull të ri në karrierën e saj muzikore. Pasi u largua nga Warner Music, me të cilën kishte nënshkruar si artiste solo në vitin 2022, Leigh-Anne ka zgjedhur të ecë si e pavarur nën Virgin.
Ajo tregoi se ndjehet më e lirë dhe e frymëzuar për të publikuar projekte të reja këtë verë, duke theksuar se ky hap i ri i jep mundësinë të ndjekë rrugën sipas mënyrës së saj.

Këngëtarja e hitit “OMG” tha se ndarja nga shtëpia diskografike ishte një sfidë, por njëkohësisht një moment i domosdoshëm për të marrë kontrollin mbi krijimtarinë e saj.
Sipas saj, ky ndryshim e ka motivuar edhe më shumë për t’i dhënë fansave muzikë të re me energjinë dhe stilin që e karakterizon.
