Policia e Kosovës ka raportuar për tri raste të arrestimeve lidhur me posedimin e armëve pa leje.
Në Prishtinë, është raportuar një rast i armëmbajtjes pa leje, ku është arrestuar një i dyshuar i mitur kosovar. Pas intervistimit dhe me aktvendim të prokurorit kujdestar, ai është ndaluar në qendrën e mbajtjes për 24 orë.
Në Prizren, është arrestuar një mashkull kosovar pasi kishte shtënë me pushkë gjuetie në pronën e një personi tjetër. Nga i dyshuari janë konfiskuar një pushkë gjuetie dhe dy gëzhoja të shkrepura në vendin e ngjarjes. Ai u ndalua në qendrën e mbajtjes pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit.
Ndërkaq, në fshatin Banjë të Malishevës, është arrestuar një mashkull kosovar i cili gjatë një ahengu familjar ka shtënë me armë zjarri. Nga i dyshuari është konfiskuar një armë zjarri me një karikator dhe gjashtë gëzhoja. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Policia vazhdon hetimet lidhur me këto raste dhe apelon tek qytetarët për respektimin e ligjit në lidhje me mbajtjen dhe përdorimin e armëve të zjarrit

