Një aksident tragjik rrugor ka tronditur mbrëmjen e së dielës zonën e Delvinës, ku dy motra humbën jetën, ndërsa një vajzë tjetër mbeti e plagosur rëndë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:15 në vendin e njohur si “Pularia”, ku automjeti tip Lancia, me të cilin udhëtonin motrat Ela dhe Rezi Dhimaku, u përplas me një Audi të drejtuar nga 23-vjeçari Kevi Norra.
Ela Dhimaku, 22 vjeçe, ishte në timon, ndërsa motra e saj Rezi, 20 vjeçe, ndodhej në sediljen e pasagjerit. Të dyja humbën jetën si pasojë e përplasjes së fortë.
Në makinë ndodhej edhe Antonela Zhupa, 24 vjeçe, e cila u plagos dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit në Tiranë, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Në vendngjarje mbërritën shpejt shërbimet e emergjencës, përfshirë policinë, ambulancën dhe zjarrfikëset, të cilat ndërhynë për nxjerrjen e trupave dhe ndihmën ndaj të plagosurës.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie.

