Ish-zëvendës ministri dhe njohësi i diplomacisë, Bajram Gecaj, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentes Vjosa Osmani, e cila së fundmi tha se Kosova është “97 për qind gati për anëtarësim në BE”.
Në një shkrim të tij, Gecaj ka akuzuar Osmanin për propagandë boshe dhe për dështim në raportet ndërkombëtare.
“Presidente, BE-ja nuk i ha ‘kopallat’ e propagandës suaj, sado bukur t’ia servirni popullatës sonë. Ky vend tashmë e ka provuar mashtrimin e vitit 2020/2021 nga binomi Kurti–Osmani, kur njerëzit besuan se ‘hamzajt’ dhe anarkistët do të sillnin mirëqenie e qeverisje të mirë. Rezultati? Katandisje si kurrë më parë”, shkruan ai.
Gecaj thekson se marrëdhëniet e Kosovës me miqtë ndërkombëtarë nuk kanë qenë kurrë më të rrënuara, duke kujtuar se “madje edhe gjatë viteve të nëntëdhjeta, kur vendi ishte nën okupim, lidhjet me botën demokratike ishin më të shëndosha se sot”.
Ai e cilëson ironike deklaratën e Osmanit për gatishmërinë e Kosovës për BE:
“Gati? Për çfarë, për të thyer rekorde ironie? Në BE nuk hyhet me parulla boshe, por duke larguar hamzajt, populistët dhe anarkistët; kur të pastrojmë oborrin tonë dhe të rindërtojmë marrëdhëniet me BE-në, SHBA-në dhe Britaninë.”
Sipas tij, Presidentja nuk po e kryen as detyrën kushtetuese më elementare: garantimin e funksionimit të institucioneve.
“Po të ishit gjysmë e zellshme në punë sa në deklarata, ndoshta gjërat do të ishin ndryshe. Për kalibrin tuaj politik, fjalët janë gjithçka – veprimet mbeten të pamundura”, përfundon Gecaj.

