Meneta Zekaj: Skandal në RTK – përjashtime arbitrare dhe censurë politike!

by engel

RTK po fundoset çdo ditë e më shumë në duart e menaxhmentit të kapur dhe të qeverisë që kërkon kontroll të plotë mbi zërin e lirë mediatik. Të premten, në fund të orarit të punës, ne morëm një njoftim të papritur dhe skandaloz: nga data 1 shtator, përjashtohemi nga moderimi i emisioneve – konkretisht nga “Magazina e orës 17:00” dhe “Lajmet e orës 23:00”. Ky vendim, i marrë fshehtas dhe pa asnjë bazë ligjore, është dëshmi e qartë e censurës brutale që po instalohet në Transmetuesin Publik.

Kërkesa jonë për takim me menaxhmentin e RTK-së u shpërfill me arrogancë, duke vërtetuar se kjo kastë e paaftë nuk ka as guximin më minimal për t’u përballur me gazetarët e vet. Përkundrazi, ata veprojnë si shërbëtorë politikë, duke zbatuar urdhrat e pushtetit dhe duke heshtur çdo zë të pavarur.

banner

Kjo nuk është rastësi. Sa herë që në magazina janë zhvilluar intervista me përfaqësues të partisë në pushtet, të cilët nuk kanë mundur t’i shmangen pyetjeve profesionale, pason hakmarrja: kërcënime, presione dhe tashmë përjashtime arbitrare. Ky është model klasik i propagandës dhe shuarjes së lirisë së fjalës.

Ndërhyrjet në skemën programore, si heqja e “Lajmeve të fundit” më parë dhe e “Magazinës së orës 17:00” tani, janë jo vetëm veprime të turpshme, por edhe të paligjshme. Sipas ligjit, skema programore ndryshohet vetëm nga Bordi – por RTK aktualisht nuk ka Bord funksional. Kjo do të thotë se një grup i vogël njerëzish, pa legjitimitet dhe pa kompetencë, po e shkatërron Transmetuesin Publik sipas tekave politike.

Për vite me radhë jemi përballur me presione dhe akuza boshe nga eprorët, të cilët nuk kanë guxuar t’i dokumentojnë asnjëherë zyrtarisht, sepse e dinë se janë të pabaza. Metoda e tyre është e thjeshtë: frikësim, nënshtrim dhe heshtje. Por ky sulm i fundit ka një qëllim të vetëm: shuarjen e zërave profesionalë dhe të pavarur.

Kjo nuk është vetëm çështje e gazetarëve të RTK-së. Ky është alarm kombëtar! Nëse Transmetuesi Publik shndërrohet në megafon të qeverisë, atëherë demokracia është në rrezik serioz. Qeveria që e ushtron këtë kontroll politik mbi RTK-në, së bashku me menaxhmentin që vepron si vasal i saj, po e tradhton interesin publik dhe po e shkel me këmbë lirinë e shprehjes.

Ne nuk do të heshtim! Do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e të drejtave tona dhe për mbrojtjen e pavarësisë së Transmetuesit Publik. Do të vazhdojmë të punojmë me integritet dhe pa iu nënshtruar diktatit politik.

Çdo qytetar i këtij vendi duhet ta kuptojë: heshtja ndaj kësaj censure është tradhti ndaj demokracisë. RTK nuk është pronë e pushtetit, as pronë e menaxhmentit të kapur – RTK është e qytetarëve!

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy