Pesë gazetarë humbën jetën gjatë një sulmi ajror izraelit mbi spitalin Nasser në Khan Yunis, në jug të Rripit të Gazës, ndërsa raportonin mbi ofensivën ushtarake.
Mes viktimave ishte Hossam al-Masri, bashkëpunëtor i agjencisë Reuters, i cili po transmetonte drejtpërdrejt sulmin kur pamjet u ndërprenë papritur. Reuters konfirmoi gjithashtu se një tjetër bashkëpunëtor i saj, fotografi Hatem Khaled, mbeti i plagosur.
“Jemi të tronditur nga humbja e Hussam al-Masri dhe po kërkojmë informacion urgjent mbi gjendjen e Hatem Khaled. I kemi kërkuar autoriteteve të Gazës dhe Izraelit të mundësojnë ndihmë mjekësore sa më shpejt,” deklaroi agjencia.
Edhe Al Jazeera konfirmoi vrasjen e fotoreporterit të saj, Mohammed Salama, ndërsa NBC humbi reporterin Moaz Abu Taha..Mes viktimave ishte edhe Mariam Abu Daqa, 33-vjeçare, që bashkëpunonte me mediat Associated Press dhe Independent Arabic. Ajo ishte nënë e një djali 12-vjeçar, i evakuuar nga Gaza në fillim të luftës.
Përmes rrjeteve sociale, Abu Daqa kishte dokumentuar vazhdimisht realitetin e konfliktit dhe, së fundmi, kishte raportuar mbi përpjekjet e mjekëve në spitalin Nasser për të shpëtuar fëmijët nga uria.
Sipas agjencisë AFP, viktimë e sulmit ishte edhe Ahmad Abu Aziz, i cili punonte për media palestineze dhe ndërkombëtare. Sindikatat e gazetarëve palestinezë dënuan ashpër sulmin, duke e quajtur “një masakër të re ndaj shtypit”. Në deklaratën e tyre thuhet se “ushtria izraelite ka shënjestruar qëllimisht zërin e lirë dhe dëshmitarët e agresionit në Gaza, duke vrarë gazetarë që po kryenin detyrën e tyre profesionale”, raporton La Repubblica.
Përveç viktimave, disa gazetarë u plagosën, mes tyre fotografi Hatem Omar (Reuters) dhe Jamal Badah (Palestine Today). Me këta emra, numri i gazetarëve dhe punonjësve të medias të vrarë në Gaza që nga fillimi i ofensivës izraelite kalon 244, duke e bërë këtë konflikt një nga më vdekjeprurësit për profesionin e gazetarit në historinë moderne.