Deputetët e legjislaturës së nëntë do të mblidhen sot në orën 11:00 për të bërë një tjetër përpjekje drejt konstituimit të Kuvendit të Kosovës, i cili vazhdon të mbetet i bllokuar pavarësisht dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Të dielën, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dështoi, pasi asnjëri nga kandidatët e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje – Hekuran Murati, Arbërie Nagavci dhe Dimal Basha – nuk arriti të sigurojë shumicën prej 61 votash. Murati dhe Nagavci morën nga 55 vota secili, ndërsa Basha siguroi 57 vota për, 25 kundër dhe 24 abstenime.
Në seancë ishin të pranishëm 106 deputetë. Pas dështimit të të gjitha kandidaturave, kryesuesi Avni Dehari e ndërpreu mbledhjen, duke paralajmëruar se përpjekja e radhës do të zhvillohet sot.
Zgjedhja e kryeparlamentarit shihet si hap vendimtar për funksionalizimin e legjislaturës së re dhe për formimin e institucioneve tjera shtetërore.