Pas gjashtë muajsh ngërç politik, Kuvendi i Kosovës u mblodh sot në orën 11:00 për seancën konstituive, ku me 73 vota pro u zgjodh Dimal Basha si kryetar i Kuvendit. Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje mori mbështetje edhe nga deputetë të PDK-së dhe AAK-së, duke i dhënë fund bllokadës institucionale.
Përpara zgjedhjes së Bashës, LVV kishte propozuar emra të tjerë si Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla dhe Hekuran Murati, por asnjëri nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme.
Megjithatë, seanca u ndërpre nga kryetari i sapozgjedhur, Dimal Basha, për shkak të mungesës së konsensusit për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb. Kandidatët e dalë nga shorti nuk arritën të sigurojnë mbështetjen e duhur, përfshirë Nenad Rashiç, kryetar i Partisë Serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili mori 55 vota pro, një kundër dhe 17 abstenime — rezultat që nuk mjaftoi për zgjedhje.
Seanca pritet të rifillojë të enjten në orën 11:00, me shpresën për arritjen e një marrëveshjeje që do të mundësojë përmbylljen e konstituimit të plotë të Kuvendit.