Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka shprehur keqardhjen për vdekjen e pesë gazetarëve gjatë një sulmi ajror në Spitalin Nasser në Gaza, duke theksuar se Izraeli po lufton vetëm kundër Hamasit.
Në një reagim në “X”, Netanyahu tha se vlerëson punën e gazetarëve, stafit mjekësor dhe civilëve dhe se ushtria po zhvillon një hetim të plotë mbi incidentin. “Qëllimi ynë i vetëm është shkatërrimi i Hamasit dhe kthimi i pengjeve në shtëpi,” shkroi ai.
Pesë gazetarë humbën jetën gjatë sulmit të 25 gushtit, mes tyre Hossam al-Masri, bashkëpunëtor i Reuters, i cili po raportonte drejtpërdrejt kur transmetimi u ndërpre; fotoreporteri i Al Jazeera-s, Mohammed Salama; reporteri i NBC, Moaz Abu Taha; gazetarja Mariam Abu Daqa, bashkëpunëtore e AP dhe Independent Arabic; si dhe Ahmad Abu Aziz, që punonte për media palestineze e ndërkombëtare.
Sipas agjencive ndërkombëtare, disa gazetarë të tjerë mbetën të plagosur, përfshirë fotografin e Reuters Hatem Khaled dhe reporterin e Palestine Today, Jamal Badah.