Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka zhvilluar një raund bisedimesh me homologët e tij evropianë, duke u fokusuar në përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të garantuar sigurinë afatgjatë të këtij vendi.
Lajmi u konfirmua nga Departamenti amerikan i Shtetit të hënën mbrëma. Në diskutimet e zhvilluara, Rubio ka komunikuar me sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy, ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Andrii Sybiha, ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, si dhe me shefen e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.
Ministri ukrainas Sybiha ka shprehur mirënjohje ndaj Rubio dhe presidentit amerikan Donald Trump për angazhimin e tyre në drejtim të arritjes së paqes. Ai ka theksuar se garancitë e sigurisë për Ukrainën duhet të jenë të qarta, juridikisht të detyrueshme dhe të shumëdimensionale, duke përfshirë komponentë ushtarakë, diplomatikë dhe ligjorë.
“Ushtria ukrainase mbetet themeli i çdo garancie të sigurisë, prandaj forcimi i saj është prioriteti ynë kryesor,” ka shkruar Sybiha në platformën X.
Pas takimeve të ndara me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, si dhe me liderë evropianë, presidenti Trump i ka besuar Rubios drejtimin e bisedimeve për ndërtimin e një arkitekture të re sigurie për Ukrainën.