Nga sot, qytetarët e Mitrovicës së jugut dhe Mitrovicës së veriut mund të kalojnë mbi urën e re të ndërtuar mbi lumin Ibër, e cila është lëshuar për qarkullim të automjeteve në orën 9:00 të mëngjesit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përshëndetur përfundimin e projektit, duke e cilësuar si një arritje të rëndësishme infrastrukturore dhe simbolike për qytetin e ndarë.
“Më pak se dy muaj u deshën për të ngritur urën e 36-të në Kosovë mbi lumin Ibër. Urime banorëve e qytetarëve të Mitrovicës së jugut dhe Mitrovicës së veriut! Përgëzime kompanisë dhe punëtorëve për angazhimin shembullor. Punimet në urën tjetër po vazhdojnë,” ka shkruar Kurti në një postim publik.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka ndarë lajmin përmes Facebook-ut, duke publikuar fotografi ku shihen qytetarë dhe automjete duke lëvizur mbi urë. “Të dashur qytetarë të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës, urime ura e re,” ka shkruar ai.
Edhe zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka shpërndarë një video nga momenti i hapjes, duke uruar qytetarët: “Urime Mitrovicë! Urime për të gjithë qytetarët e Kosovës! E gëzofshim urën e re.”
Ndërtimi i dy urave të reja në afërsi të urës kryesore mbi Ibër është realizuar nga institucionet kosovare, pavarësisht reagimeve të bashkësisë ndërkombëtare dhe kundërshtimeve të shprehura nga komuniteti serb në veri.
Projekti synon të përmirësojë qarkullimin dhe të afrojë dy pjesët e ndara të qytetit, duke shënuar një hap konkret drejt integrimit urban dhe funksional.